Të ftuarit në Real Story të Sokol Ballës kanë zbërthyer disa nga tezat kryesore, që Duma shqyrton në libër, por që edhe mbron në studio, duke filluar që nga Reforma Zgjedhore e deri te sistemi me lista të hapura, ndërkohë që kanë vënë në dukje se zërat kundër në parti përfundojnë si armiq të kryetarit.
Analisti Arion Sulo tha se në vendin tonë zërat e shtuar, zërat divers, në një parti, nisen si të tillë dhe përfundojnë si armiq të kryetarit. “Çështja është e kohës që po bëhet kjo dalje. Tani kemi kohën e reformave, Reforma Zgjedhore, Reforma në Drejtësi, SPAK, dy gjykatat. Kjo mund të përdoret nga qeveria si problem i PD në momentet e fundit të zgjidhjes së krizës. Në Shqipëri, zërat e shtuar, zërat divers në një parti, nisen si të tillë dhe përfundojnë si armiq të kryetarit. Ato që ka shtruar Grida, që ka thënë se opozita duhet të vazhdojë me protestat, ndërkohë që gjithë opozita është tërhequr nga kjo. Duma tezën kryesore ka listat e hapura, që janë debati më i madh. Ka heshtje nga të dy partitë e mëdha”, tha Sulo
Ndërsa Skënder Minxhozi ka ngritur dilemën nëse Duma është nisur për të bërë një libër apo diçka më shumë. “Një reagim i tillë vjen pas një stine të gjatë përplasjeje. Opozita bazohet më shumë te bilancet, por deri më tani kemi bilanc negativ nga opozita, nuk arriti asnjë nga objektivat. Një motiv i dytë që e ka shtyrë Gridën të bëjë librin është një nevojë që kanë dy partitë e mëdha, një nevojë ulëritëse, për atë që konsiderohet si demokraci e brendshme dhe që fillon te debati mbi njerëzit. Duma jep justifikimin, pastaj tezat e saj. Pra, ka një kujdes të shtuar që t’i thotë partisë së vetë se nuk është për ta shkatërruar. Dy partitë janë personalizuar skajshëm. Kemi dy kryetarë që e bëjnë vetë kohën e mirë e të keqe. Juve ju duket Bushati, që flet ndryshe. Edhe te Duma, te teza e parë nuk jam absolutisht dakord. Te pjesa e dytë e shoh daljen e Dumës si një nevojë për të pasur një proces sa më të thellë. Institucionet e shtetit në këtë vend nuk kanë rënë vende-vende, por ka një rënie të përgjithshme të të gjitha partive. Se si dilet nga kjo situatë, unë i kërkoj Dumës të mos i fshehë mendimet brenda frazave, sepse e di që është mjeshtre për këtë, por t’i thotë hapur”, tha Minxhozi.
Ndërsa Lubonja komentoi edhe zhvillimet e fundit me kreun e PD, i cili ka marrë një vilë me qira. “Nuk mund të rri pa e komentuar, shkon kryetari i partisë e merr vilë te ai që nuk ka lënë gjë pa përmendur si biznesmen i Ramës. Ju thoni alternativë, po që për alternativë, unë shkruaj më të bukurën, por çfarë do bësh për të marrë pushtetin”, tha Lubonja.