Kasaforta e Postës në Krujë ka rënë pre e grabitjes, ku persona të maskuar, nën kërcënimin e armëve kanë arritur të marrin rreth 11 milionë lekë. Policia, ende nuk ka zbuluar se kush janë autorët, por ka vënë në pranga rojën private, i cili akuzohet për veprat penale “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”.
Sipas Policisë, Besnik Parruca, 51 vjeç, banues në Durrës, nuk ka njoftuar Policinë për vjedhjen me thyerje të kasafortës së Postës së Krujës, ku grabitësit kanë marrë një sasi prej rreth 11 milionë lekësh dhe një sasi valute dhe më pas janë larguar. Mësohet se 51-vjeçari ka deklaruar para efektivëve se nuk ka treguar sepse është kërcënuar nga autorët e kësaj vepre penale.
“Roja private, pas marrjes dijeni për ngjarjen, nuk ka kryer sipas detyrimeve ligjore njoftimin e shërbimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, as në momentin kur Patrulla e Policisë ka kaluar dhe e ka pyetur nëse kishte ndonjë problem te posta, me pretendimin se është kërcënuar nga autorët”, u shpreh policia.
Ndërkohë, është shpallur në kërkim për “Shpërdorim detyre” edhe specialisti i sallës së SHPSF-ve, shtetasi S. T., 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke mos njoftuar Policinë e Shtetit.
Policia shpjegoi se paratë e vjedhura ishin fond për pagesat e pensionistëve në Krujë. Po sipas të njëjtave burime, grabitësit kanë pasur informacion të saktë mbi lëvizjet në postë, e cila gjatë ditës ka qenë në punë duke shpërndarë pensionet. Ngjarja u shënua orët e para të mëngjesit, në të gdhirë të së hënës, ndërsa mësohet se i gjithë qyteti ishte pa energji elektrike.