Nuk ishte e lehtë, por as nuk mendohej e tillë.
Një fitore ndaj Koresë së Jugut është kthyer në një mision të vështirë në kupat e botës, dhe ata që ia dalin kanë të drejtë të ndihen krenarë.
Skuadra që eliminoi Gjermaninë që në grup në 2018, ia solli shumë vështirë Meksikës, njërit prej vendeve organizatorë, në një duel të ashpër në stadiumin e Guadalaharës.
Shorti e deshi që meksikanët të mos luanin në “Azteka”, por në një stadium me vetëm 45 000 vende, por rëndësi ka fakti që “trikolorët” fituan dhe u kualifikuan për në raundin e dytë.
Në një duel ku aziatikët bënë më shumë, vendosi goli I shënuar nga Luis Momo në nisje të pjesës së dytë.
Edhe ajo rrjetë ishte me fat, sepse portieri Kim u përplas me mbrojtësin e tij.
Koreanët e mbajtën topin 58 për qind dhe patën disa mundësi me anë të kapitenit Son, dhe të lojtarëve të tjerë Ço e Jang.
Meksika, e ndihmuar nga një publik fanatik, iu afrua edhe golit të dytë dhe mundi të vazhdonte sukseset në këtë Kupë të Botës, me 100 për qind të pikëve, pas suksesit 2-0 kundër Afrikës së Jugut.
Ndeshja e tretë do të luhet në “Azteka”, në kryeqytetin Meksiko Siti, dhe mbi 80 000 tifozë do të kërkojnë që kombëtarja e tyre të arrijë edhe fitoren e tretë në grupin A.
