Atentati ndaj prokurorit Ndoja, arrestohet dentisti Redjan Rraja

AKTUALITET


Katër ditë pas atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoja, nga i cili mbeti i plagosur ai dhe dy persona të tjerë, policia ka arrestuar një person si të dyshuar për këtë krim të rëndë, i cili nuk është i panjohur për grupet hetimore. Në pranga është vënë Redjan Rraja, i cili vjen nga fisi i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja, ku edhe më herët është përfolur, pikërisht në rastin “Xhisiela”.

News 24 raporton se policia ka arrestuar shtetasin Redjan Rraja, i cili dyshohet se ka lidhje me atentatin ndaj prokurorit Arjan Ndoja, që tronditi vendin pak ditë më parë, ku mbetën të plagosur prokurori, shoferi i tij, Andi Maloku, dhe personi me precedentë penalë, Aleksandër Laho, i njohur edhe si “Rrumi” i Sukthit.

Policia pritet të japë detaje për rolin e Rrajës në këtë atentat dhe cili prej të plagosurve ka qenë objektivi i tij, megjithëse ai nuk ka pranuar përfshirje në këtë atentat gjatë dëshmisë të marrë disa herë në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas të dhënave paraprake, Redjan Rraja, i cili është me profesion stomatolog dhe jeta e tij është mes Shqipërisë dhe Kanadasë, është i dyshuar për këtë krim për shkak të përputhjes me gjurmët e gjetura në makinën e braktisur nga autorët pas atentatit të prokurorit.

34-vjeçari Rraja ka qenë i skeduar edhe më parë nga policia. Ai ka një klinikë dentare në Fushë-Krujë, ndërsa ka qenë lakuar në dosjen e dhunimit të Xhisiela Malokut nga kushëriri i tij, Rexhep Rraja dhe i pranishëm në tavolinë me Elton Çiçon (burri i motrës) në Tiranë në 1 maj 2016 kur u ekzekutua te lokal “De Niro” në zonën e ish-Bllokut. Mjeku u akuzua se mbrëmjen kur ndodhi ngjarja, ka fshehur celularin dhe pistoletën që mbante viktima, Elton Çiço. Ndërsa përsa i përket rastit të Xhisiela Malokut, vajza në një nga intervistat e saj në media asokohe deklaronte se ‘Rreth orës 20:00 ka ardhur te banesa ime, në fshatin Nikël, Rexhep Rraja, Ramazan Rraja dhe Redjan Rraja dhe më kanë marrë me zor duke më thënë “Na hape punë”. Sipas policisë, kapja e tij është bërë në Shkodër, në tentativë që ai të largohej drejt Malit të Zi.



Skip to toolbar