Kryqi i Kuq: Si e nxorëm fshehurazi Alvin nga kampi deri në Damask

AKTUALITET


Francesco Rocca, President i Kryqit të Kuq Italian gjatë fjalës së tij në konferencën që u zhvillua në Romë, ku i pranishëm ishte edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, tha se në shpëtimin e Alvinit ka luajtur një rol thelbësor, Gjysmë Hëna Siriane dhe vullnetarët kurdë, që e nxorën fëmijën nga kampi.

“Është krijuar rrjeti i domosdoshëm që gjithçka të shkonte mirë dhe arritëm këtë rezultat të jashtëzakonshëm. Kryqi i Kuq dhe Gjysmë Hëna u koordinuan në terren. Ne bëmë edhe konfirmimin që fëmija mund të ishte në kamp. Kur e mësuam zyrtarisht praninë e tij në kamp e nisëm operacionin. Pjesa më e vështirë ka qenë që nuk duhet të merrej nga drejtuesi vesh se fëmija po e linte kampin, pasi ka ende prezencë radikale”, tha ai.

Rocca tha më tej se edhe transferimi nga “Al Hol” në aeroport ka qenë shumë i vështirë, pasi ndërlidhësit e tyre ishin të frikësuar, edhe garancia që kishte për kalimin nga një zonë në tjetrën ishte tejet e vogël.

“Në Damask e kam pritur unë. Kishim një presion dhe tension të madh që ta nxirrnim shëndoshë e mirë djalin, por kurdët kanë prioritet tjetër tani, ata menaxhojnë një kamp me 70 mijë persona. Falë vullnetarëve kurdë u bë e mundur që Alvini të shpëtojë. Më bëri më shumë përshtypje, kur Alvini mbeti i habitur kur hymë në Damask, shikonte gjithmonë rreth e rrotull, pasi ishte mësuar në kamp. Ai reagonte në gjithçka që ishte e re për të. Ka edhe tre fëmijë të tjerë jetimë që ndodhen në kamp në moshën e Alvinit. Tani edhe fëmijë të tjerë mund të largohen nga kampi”, tha ai.



Skip to toolbar