Deklarata e presidentit francez Macron se “NATO po vdes” për shkak të braktisjes nga SHBA nën udhëheqjen e Trump, u përshëndet nga Rusia, e cila e quajti atë “një deklaratë të artë”
Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme, Maria Zakharova i cilësoi “fjalë të arta dhe një përcaktim i saktë i gjendjes aktuale të NATO-s”, ato që u thanë nga presidenti Macron.
Gjatë një interviste për “The Economist”, Macron foli ashpër në lidhje me NATO-në duke thënë se kjo aleancë po vdes dhe se Shtetet e Bashkuara nën presidentin Trump po ‘na kthejnë shpinën’. Presidenti Macron tha se BE ‘duhet të rivlerësojnë realitetin e ri të NATO nën dritën e angazhimit të Shteteve të Bashkuara. Europa ndodhet në buzë gremine dhe duhet të fillojë të mendojë si një fuqi gjeopolitike, përndryshe nuk do të jemi më në kontroll të fatit tonë.”
Kjo deklaratë u hodh poshtë nga kancelarja Merkel dhe Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, pak orë pasi foli Macron. Ato thanë se “NATO-ja mbetet një gur themeli i sigurisë së BE”. Nga ana tjetër Sekretari Amerikan i Shtetit, Mike Pompeo tha se NATO-ja ishte “e rëndësishme”, ndoshta një nga më të rëndësishmet “në të gjithë historinë”.