Presidenti Ilir Meta u bën apel banorëve të Astirit të mos bien pre e provokimeve të policisë, ndërkohë që e cilëson të paparanueshme dhunën e ushtruar nga policia ndaj banorëve që sipas presidentit mbrojnë shtëpitë dhe pronën e tyre. Presidenti i fton banorët të ruajnë qetësinë, dhe apelon që ata të ulen menjëherë në dialog. Meta akuzon qeverinë se ka treguar arrogancë në trajtimin e problematikës dhe i ka shkaktuar traumë këtyre familjeve.
“E papranueshme dhuna e përsëritur sot ndaj banorëve të Unazës së Re, të cilët protestojnë në mbrojtje të shtëpive dhe të pronave të tyre.
Arroganca përballë mjerimit dhe traumës që po u shkaktohet këtyre familjeve për muaj të tërë është e patolerueshme.
Banorët të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve dhe palët të ulen menjëherë në dialog.
U uroj shërim të shpejtë të gjithë të plagosurve”, shkruan Presidenti.
Banorët e Astirit kanë protestuar me gurë dhe me bomba molotov kundër policisë dhe IKMT. Ndërkohë në spital gjatë ditës kanë shkuar për të marrë mjekim pasi kanë mbetur të plagosur 5 policë dhe 7 protestues. IKMT njofton se janë për t’u shembur 33 objekte, 21 prej të cilave janë shpronësuar, pra pronarët kanë marrë dëmshpërblim nga shteti. 12 objektet e tjera nuk përmbushin asnjë kriter për t’u legalizuar, pra janë ndërtime pa leje.