“Shqipëria është e larë në gjak”, kreu i Kishës kërkon dialog politik

AKTUALITET


Kreu i Kishës Katolike, Arqipeshkvi i Tiranës, George Frendo u bëri apel krerëve të politikës në Shqipëri që të ulen në një dialog për të gjetur zgjidhje për krizën në vend dhe të mendojnë për të mirën e përbashkët, për brezin e të rinjve që po i largohet Shqipërisë dhe jo për interesat e ngushta të partive të tyre. Frendo tha se edhe Kisha është zhgënjyer nga vendimi i KE-së për mos çeljen e negociatave, por Shqipëria e cila është e larë me gjakun e martirëve duhet të shohë aspektin pozitiv dhe të ndërtojë një shtet më të drejtë.

“Palët politike duhet të jenë të gatshme të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe jo të bëjnë një dialog karikature. Vendimi për mos hapjen e negociatave nuk na ka pëlqyer as ne, por ta marrim në aspektin pozitiv dhe të na shërbejë për të bërë një Shqipëri më të drejtë. Martirët e kanë larë Shqipërinë me gjakun e tyre dhe bota ka nevojë për dëshmi të forta si ajo e të Lumes Maria Tuci. Politika në Shqipëri duhet të kërkojë falje për krimet e komunizmit si dhe krimet e komunizmit në Shqipëri duhet të dënohen me ligj sepse ishte regjimi më i egër dhe nuk ishte një regjim ateist por anti ateist, ishte kundër Zotit”,-tha ai.

Këtë deklaratë  George Frendo e bëri  pas një drame, e cila u zhvillua në teatrin “Migjeni” në Shkodër për martiren Maria Tuci e vënë në skenë nga famullia e Rranxa Bushat.



Skip to toolbar