Kosova luan sot (e diel) në orën 18:00 përballë Anglisë, në një sfidë prestigji. Ëndrra është ajo e arritjes së një fitoreje të madhe, kundër një prej superfuqive të futbollit botëror.
Festa për mbërritjen e yjeve të “Tre Luanëve” shoqërohet me synimin që Dardanët t’i mbyllin këto kualifikuese në mënyrën më të mirë të mundshme.
Gjigandi mediatik BBC ka nxjerrë në pah përmes një shkrimi të gjatë mikpritjen madhështore që Kosova i bëri tifozëve dhe lojtarëve të ekipit kombëtar të Anglisë, përpara ndeshjes së fundit kualifikuese për Euro 2020. Dhe kjo pritje në Prishtinë ka qenë krejt ndryshe nga Mali i Zi fqinj dhe Bullgaria.
Artikulli i nxitur nga banderolat me shkrimin “Mirësevini vëllezër”, apo “Mirësevini dhe respekt”, nënvizon se kjo ishte tema që i parapriu ndeshjes së konsideruar “si ndër momentet më të rëndësishme në historinë e këtij vendi”. “Ky është një demonstrim tipik kosovar i faktit se lojtarët e Anglisë do të jenë të mirëpritur në një mënyrë që nuk u pritën në Malin e Zi dhe Bullgari, ku pjesëtarë të skuadrës së Gareth Southgate ishin subjekt i abuzimeve raciste”, shkruan BBC.
“Hashtag # Equalgame shihet gjithashtu anekënd këtij vendi vibrues në zhvillim, sapo të kaloni mes trafikut që bllokon rrugët drejt qendrës, ku ata që mbushin baret, restorantet e kafenetë e shumta, e kanë pritur me padurim këtë lojë që nga momenti kur u hodh shorti. Ishte gjithashtu një kujtesë e mirënjohjes që ndjehet ende në Prishtinë dhe në pjesën tjetër të Kosovës për përfshirjen e Mbretërisë së Bashkuar në çlirimin e vendit nga lufta”, shkruan më tej BBC. “Tre luanët” mbërritën në Prishtinë të shtunën në mbrëmje dhe trajneri i tyre, Gareth Southgate, u shpreh shumë i kënaqur me pritjen madhështore që kosovarët i bënë tifozëve dhe lojtarëve të Kombëtares së tij. “Na është bërë një mikëpritje shumë e ngrohtë. Mendoj se kjo ndeshje është festë për Kosovën. Sa keq që ata nuk ishin në gjendje të kualifikohen”, tha Southgate.
Anglia është e kualifikuar në fazën finale të Europianit 2020, ndërsa Kosova doli nga gara, pas humbjes në Republikën Çeke. Një rezultat pozitiv përballë britanikëve do ta ndihmonte mrekullinë e këtij edicioni për moralin dhe vazhdimësinë, edhe në kuadër të gjysmëfinaleve të Ligës së Kombeve, ku Kosova do të luajë shansin e dytë për kualifikimin historik në fazën finale të një eventi madhor.
