“Duhen 3 miliard lekë”, Denaj lë të hapur mundësinë e bonusit për pensionistët

AKTUALITET


Ministrja e Financave, Anila Denaj ka lënë të hapur mundësinë e shpërndarjes së bonusit për pensionistët dhe familjet në nevojë me rastin e festave të fundvitit. E pranishme në komisionin e Ekonomisë dhe Financave, ministrja e Financave tha se për të shpërndarë shpërblime për festat e fund vitit duhen 3 miliardë lekë dhe për këtë fond duhet të shikohen të gjitha mundësitë e kursimeve. Ajo tha se mundësia e këtij bonusi do të shihet në fillim të muajit dhjetor.

“Ky element nuk ka qenë asnjëherë i parashikuar në Janar, Shkurt apo Mars dhe gjithmonë është parë në Dhjetor pasi është bërë një analizë se çfarë kursimesh janë fituar. Jemi akoma në Nëntor kështu që më lejoni të bëjmë një analizë të përfundojmë buxheti. Jemi duke parë të gjitha kursimet dhe avancimet e mundshme dhe në përfundim të saj do te themi brenda javës së parë të Dhjetorit nëse do mundemi apo jo. Bëhet fjalë për 3 miliard lekë sipas kalkulimeve tona kështu që ne duhet të gjejmë nga kursimet një shumë të tillë. Kështu që më lini pak kohë”, tha Denaj

Ministrja thotë se pasi të bëhet një analizë e zbatimit të projekteve do të shihet edhe mundësia për të rialokuar fondet.

“Ky është procesi i analizës së të gjithë projekteve të cilat nuk do të finalizohen deri në fund dhe në përfundim të saj vendoset sesi rialokohen këto fonde” , vijoi Denaj.

Kanë qenë deputetët e Komisionit të Ekonomisë që i kërkuan ministres dhënien e bonusit në fund të vitit, nisur dhe nga një traditë e qeverisë në 5 vitet e fundit.



Skip to toolbar