Bashkia Tiranë ka hedhur poshtë lajmet e pavërteta se qytetarët që vijnë në Tiranë do të paguajnë taksë. Në disa media, të mërkurën, u përhap lajmi se Veliaj kërkoi vendosjen e një ligji të veçantë ku qytetarët jo-rezidentë në Tiranë, të paguanin një taksë kur të hynin në kryeqytet.
Bashkia e Tiranës sqaroi se në fakt kjo ka të bëjë me një ligj të veçantë për Tiranën, që ndihmat e qeverisë përmes granteve për kryeqytetin të llogaritet në bazë të banorëve që hyjnë e dalin çdo ditë nga qyteti dhe jo vetëm banorët e Tiranës.
“Në dëgjesën e djeshme në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për projekt-buxhetin e vitit 2020, i ftuar edhe në cilësinë e kryetarit të Shoqatës për Autonomi Vendore, kryebashkiaku Erion Veliaj hodhi idenë për një ligj të veçantë për Tiranën, siç e kanë edhe kryeqytete të tjera në Europë (Roma apo Prishtina p.sh), që Tirana të trajtohet ndryshe nga grantet që qeveria jep për bashkitë. Pra, ndihma e qeverisë për Tiranën të mos llogaritet në bazë të banorëve, por të përdoruesve ditorë të qytetit, duke qenë se në Tiranë merr shërbime e gjithë Shqipëria, e jo vetëm banorët e Tiranës. Por, kjo deklarate u keqkuptua qëllimshëm nga disa media. Ndaj, Bashkia e Tiranës gjen rastin të sqarojë qytetarët e saj dhe opinionin publik, se të gjitha lajmet për vendosjen e një takse për qytetarët që vijnë në Tiranë janë të PAVËRTETA dhe një FAKE NEËS i sajuar nga pronare mediash gjobëvënëse dhe keqinformuese!”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.
Një reagim ndaj këtij Fake News, pati edhe vetë kryebashkiaku Veliaj i cili shkruajti në twitter se asnjë taksë nuk do paguhet në Tiranë nga jo-rezidentët.
“Dy gjëra janë të sigurta: Nuk do të paguhet ASNJË taksë në Tiranë nga jo-rezidentët dhe nuk do paguhet ASNJË “gjobëvënie” nga Kryetari i Bashkisë për median që gjeneroi histerinë e radhës! PS.
Sot presim rezultatin e Kryeqytetit Euro. të Rinisë 2022 ndër 5 finalistë – ky o lajm”, shkruan Veliaj.