Policia e Lezhës ka vënë në pranga një 36-vjeçar, pasi ka kanosur vëllain e vet me armë zjarri, duke qëlluar në ajër dhe më pas është arratisur në malin e Troshanit. Pas disa orë ndjekjeje, uniformat blu kanë mundur të bien në gjurmët e agresorit, duke e arrestuar, ndërkohë që është sekuestruar edhe arma automatike dhe 354 fishekë që ai i mbante pa leje.
Policia e Lezhës deklaroi se Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E.P., 36 vjeç ,banues në fshatin Troshan, Lezhë, pasi ky person në oborrin e banesës, për motive pronësie, ka kanosur me armë zjarri vëllain e tij, K.P.,30 vjeç, duke qëlluar në ajër disa herë.
Policia e Lezhës menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Troshan, Lezhë, ka konflikt në familje dhe të shtëna me armë zjarri, ka shkuar në vendngjarje. Në momentin që ka parë policinë, 36-vjeçari ka hedhur armën dhe është larguar me shpejtësi nga banesa. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje dhe pas disa orësh ndjekjeje, kanë mundur të bëjnë lokalizimin dhe kapjen e shtetasit E.P. në malin e Troshanit, Lezhë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua dhe arma e zjarrit automatik dhe 354 fishekë.
