Kryeministri Edi Rama prezantoi të hënën, siç kishte lajmëruar, paketën speciale që ai e quan “Anti-KÇK”. Ky draft ligjor parashikon ngritjen e një strukture të posaçme brenda Policisë së Shtetit, e cila do të ketë kompetenca hetuese për krimin e organizuar, me synim goditjen e strukturave kriminale. Struktura e re do të jetë në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa ajo do të ketë njësi në të 12 drejtoritë vendore të policisë. Struktura e policisë kriminale do të kërkojë informacion për parandalimin e krimit të organizuar, terrorizmit dhe krimeve të tjera të rënda për të gjithë personat fizikë dhe juridikë.
Madje, në ligj është parashikuar që personat juridikë që ofrojnë mjete, shërbime të komunikimeve elektronike dhe kompanitë e telefonisë celulare janë të detyruar t’i japin Policisë së Shtetit, me kërkesë të saj çdo informacion të nevojshëm për të përmbushur detyrat funksionale për parandalimin deri në goditjen e organizatave dhe grupeve të strukturuara kriminale. Deri më sot, këto të dhëna disponoheshin vetëm nga prokuroria, por tashmë mund t’i sigurojë edhe policia. Ky është një ligj i kundërshtuar nga opozita, e cila pretendon se po dublohet SPAK dhe BKH.
Megjithatë, të gjitha dyshimeve për ngritjen dhe funksionimin e kësaj strukture, a është apo jo në një strukturë paralele e SPAK dhe BKH? Si do zbatohet? Kush do të jetë fokusi i saj? dhe shumë pyetje të tjera rreth “Faudës” shqiptare, i përgjigjet mbrëmjen e të hënës Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj në emisionin “Real Story” të gazetarit Sokol Balla në News 24, ora 21:00. Përballë ministrit do të jenë dhe gazetarja e kronikës, Klodiana Lala si dhe analisti Alfred Lela. “Real Story” do të transmetohet live në faqen e webit Realstory.al dhe në faqen facebook Realstory.al.