Luftëtari vijon të jetë surprizues, jo vetëm me atë që po bën në fushën e blertë, por edhe jashtë saj. Çfarë ka ndodhur këtë herë?! Klubi gjirokastrit arriti në gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, ku përballë pati Tiranën. Kjo e fundit arriti të fitonte ndeshjen e dytë dhe të shkonte në finale, ndërsa Luftëtari u kthye në shtëpi.
Megjithatë, edhe pse ishte një arritje historike për gjirokastritët kapja e gjysmëfinales, drejtuesit nuk janë kënaqur me rezultatin. Dy javë pas gjithë kësaj histori, kur kanë kaluar disa suksese në kampionat, në Gjirokastër janë kujtuar të ndëshkojnë përgjegjësit për largimin nga kupa.
As më pak e as më shumë, por trajneri Julian Ahmataj, zëvendësi Neritan Novi dhe dy lojtarët, Albano Aleksi dhe Jackson Ferreira, janë pezulluar për një afat prej dy javësh nga klubi. Kjo është një situatë e pazakontë që ndodh me një klub futbolli, që nga njëra anë ka probleme dhe detyrime ndaj lojtarëve dhe nga ana tjetër i ndëshkon për mosarritjen e një objektivi, që në fakt nuk ka qenë i tillë. Ja komunikata e plotë e klubit gjirokastrit për vendimin e sotëm:
“Klubi i futbollit Luftëtari, pasi ka ndjekur me shqetësim ecurinë e skuadrës dhe sidomos humbjen e thellë në takimin përballë Tiranës, çka solli edhe eliminimin nga Kupa e Shqiperisë, stafi drejtues i klubit, ka analizuar me seriozitet situatën dhe ashtu siç ishte paralajmëruar ka marrë masa disiplinore”.
“Nga ana jonë janë pezulluar për një afat dy javor, trajneri Julian Ahmataj si dhe zv. trajneri Neritan Novi. Gjithashtu për një afat dy javor janë pezulluar edhe futbollistët Albano Aleksi dhe Jackson Ferreira Silverio”.
“Klubi i futbollit Luftetari, nuk mund të tolerojë kurrsesi paraqitje si ajo perballë Tiranës në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës, ku skuadra u shthur totalisht duke pësuar gola dhe një humbje të papërtypshme”.
“Luftëtari bën me dije se për trajnerët apo lojtarët e pezulluar nuk do të ketë masa financiare, duke i paguar ata rregullisht si gjithë pjesa tjetër e skuadrës. Në këto dy javë, skuadra në procesin stërvitor, apo ndeshjet e kampionatit do të drejtohet nga trajneri i portierëve Jovan Mihajlovic”.
“Arritja e objektivit mbijetesë, edhe pse ende jo matematikisht bën që skuadra të ketë mundësinë e rotacionit dhe ne po shohim me përparësi aktivizimin e lojtarëve të cileve nuk u është dhënë mundësia të tregojnë vlerat e tyre.”
“Luftëtari ka nisur tashmë punën për formatimin e skuadrës për sezonin e ri dhe përforcimin e saj me elementë cilësore. Ne jemi të vendosur të ndërtojmë sërish një Luftetar dinjitoz, i cili do t’i japë tonin Superliges Shqiptare dhe do të bëjë krenar një qytet të tërë”.