Kryeministri Edi Rama bëri Retweeted (shpërndau) mesazhin që Lulzim Basha dha të enjten për solidarizimin nga tërmeti. “Megjithë ndasitë tona, në orë nevoje, ne jemi një komb i bashkuar. Shqipëria e vërtetë është ajo njerëzve me zemër dhe forcë të madhe.”, shkruante Basha. Ky veprim i Kryeministrit Edi Rama erdhi një ditë pasi deklaroi në “Real Story”, se tragjedia e krijuar nga tërmeti meriton lënien mënjanë të mllefit dhe solidaritetin për të bërë të mundur përballimin e situatës së krijuar.
Ndërkohë, në videomesazh Basha shprehej që në 107 vjetorin e Pavarësisë, të bashkuar, të nderojmë kujtimin e atyre që na mori kjo tragjedi. “Në Ditën e Pavarësisë, nga zemra e kombit tonë kullon gjak. Kjo që përjetuam ditët e fundit është një kujtesë për të gjithë ne, se sa e brishtë është jeta e njeriut. Se sa mirënjohës duhet të jemi për gjithçka që na ka falur Zoti, dhe për t’i përqafuar pak më fort fëmijët dhe të dashurit tanë. Me gjithë ndasitë tona, në orë nevoje ne jemi një komb i bashkuar, lidhur ngushtë nga të njëjtat vlera dhe nga e njëjta dhembshuri. Kjo është Shqipëria e vërtetë! Shqipëria e njerëzve me zemër të madhe dhe me forcë të pashtershme. Sot, në vend të festës së Pavarësisë, një komb i lënduar është kërrusur nga dhimbja për humbjen e jetëve. Le ta nderojmë kujtimin e atyre që na mori kjo tragjedi duke qëndruar të bashkuar, të fortë dhe me dashuri për njëri-tjetrin”, deklaroi Basha.