Rama bën “share” mesazhin e Bashës

Kryeministri Edi Rama bëri Retweeted (shpërndau) mesazhin që Lulzim Basha dha të enjten për solidarizimin nga tërmeti. “Megjithë ndasitë tona, në orë nevoje, ne jemi një komb i bashkuar. Shqipëria e vërtetë është ajo njerëzve me zemër dhe forcë të madhe.”, shkruante Basha. Ky veprim i Kryeministrit Edi Rama erdhi një ditë pasi deklaroi në “Real Story”, se tragjedia e krijuar nga tërmeti meriton lënien mënjanë të mllefit dhe solidaritetin për të bërë të mundur përballimin e situatës së krijuar.

Ndërkohë, në videomesazh Basha shprehej që në 107 vjetorin e Pavarësisë, të bashkuar, të nderojmë kujtimin e atyre që na mori kjo tragjedi. “Në Ditën e Pavarësisë, nga zemra e kombit tonë kullon gjak. Kjo që përjetuam ditët e fundit është një kujtesë për të gjithë ne, se sa e brishtë është jeta e njeriut. Se sa mirënjohës duhet të jemi për gjithçka që na ka falur Zoti, dhe për t’i përqafuar pak më fort fëmijët dhe të dashurit tanë. Me gjithë ndasitë tona, në orë nevoje ne jemi një komb i bashkuar, lidhur ngushtë nga të njëjtat vlera dhe nga e njëjta dhembshuri. Kjo është Shqipëria e vërtetë! Shqipëria e njerëzve me zemër të madhe dhe me forcë të pashtershme. Sot, në vend të festës së Pavarësisë, një komb i lënduar është kërrusur nga dhimbja për humbjen e jetëve. Le ta nderojmë kujtimin e atyre që na mori kjo tragjedi duke qëndruar të bashkuar, të fortë dhe me dashuri për njëri-tjetrin”, deklaroi Basha.

Një protestë, një mesazh për herë të gjashtë, por Basha dha sinjal se shpreson te Gjermania

Opozita organizoi protestën e gjashtë kombëtare, të nisura që prej muajit shkurt kur PD dhe LSI, së bashku me parti të tjera opozitare vendosën të djegin mandatet dhe të nisin një seri protestash në vend. Në fakt, opozita kishte paralajmëruar se kjo e sotmja do të ishte protesta më e madhe e këtyre tre muajve, megjithatë, numri i protestuesve raportohet të ketë qenë diku te 7 deri në 10 mijë pjesëmarrës.

Pavarësisht pjesëmarrjes, kjo e sotmja, siç ishte raportuar më herët nga RealStory.al, ishte protestë paqësore. Protestuesit e parë kanë nisur të grumbullohen para godinës së Kryeministrisë rreth orës 18:30, ndërsa rreth orës 19:00 numri i tyre ka ardhur duke u shtuar. Megjithatë, si zakonisht edhe protesta e sotme nuk nisi në orarin e përcaktuar nga opozita, por me rreth 45 minuta vonesë, kur në shesh erdhi kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

Ky i fundit ka mbajtur një fjalim për rreth 40 minuta para protestuesve, ku ka dhënë disa mesazhe, teksa konfirmoi se nuk do të ketë dialog pa largimin e Kryeministrit Rama. Megjithatë, një detaj interesant u vu re gjatë kohës që Lulzim Basha ka folur para protestuesve. Liederi i PD-së ka shkuar pranë disa protestuesve, të cilët mbanin disa flamuj të SHBA-së, BE-së dhe Gjermanisë. Me këtë të fundit Basha ka bërë një pozim për disa sekonda.

“Mjerë ai që nuk ka vesh e nuk dëgjon. E dëgjon e gjithë Shqipëria, e gjithë bota, zgjedhje demokratike pa opozitën nuk ka e nuk do të ketë. Rama ik. Në një javë Europa tregoi standardin e saj të vërtetë. Nga Londra në Vjenë, politikanët e përgjegjshëm dhanë dorëheqjen e i rikthyen sovranit atë që është e sovranit. Sot në vendin tonë, për akoma pak kohë, zotër janë politikanë të lidhur me krimin, një grup horrash që kanë marrë peng partinë e tyre dhe e shohin popullin si shërbëtor”.

“Edi Rama sakrifikoi gjithçka të qytetarëve, vodhi zgjedhjet për një qëllim, pushtetin e tij, për këtë do ta cojë vendin në një përplasje të pashmangshme civile. Duke cuar për herë të parë në 29 vite, të njëjtët trafikantë e banditë, figura të krimit, që nëse drejtësia nuk do ishte e kapur, do i dënonte për përfshirjen e tyre në shitblerjen e votës.  Për pushtetin e tij, për pasurinë e tij, jo vetëm i ka mbrojtur kriminelët por do përfundimisht të vendosë zgjedhën e krimit në Shqipërinë”, tha Basha.

Ky ishte një mesazh i koduar i Lulzim Bashës, që mesaduket nënkupton se ai është gati të futet në negociata sipas udhëzimeve nga partnerët gjermanë të PD-së dhe atij vetë. Më pas kreu i BD-së u shpreh se Partia Demokratike është duke diskutuar me ekspertët propozimin e një plani, ku do të krijohet një parlament i ri me dy dhoma, një sistem drejtësie funksional dhe që ndëshkon politikanët e korruptuar, si dhe të tjera ndryshime, që pritet të propozohen në ditët në vijim, tha Basha.

Pas fjalës së mbajtur para Kryeministrisë, ku protestuesit kanë ndezur balona ndriçuese, të cilat kishin  të shkruar shprehjen “Rama ik”, Basha u bëri thirrje protestuesve të nisin marshimin drejt godinës së Parlamentit. Ndërkohë, para kësaj, gjatë kohës që fliste Lulzim Basha, protestuesit kanë hedhur disa shashka në drejtim të Kryeministrisë, por nuk ka pasur tentativa për të thyer gardhin metalik dhe kordonin e policisë.

Më pas, protestuesit u nisën drejt godinës së Parlamentit, aty ku sërish ka pasur masa të përforcuara të policisë, si dhe mjete ujëhedhëse në gatishmëri për të neutralizuar çdo akt dhune. Në fakt, me mbërritjen para godinës së Parlamentit, ka pasur tension mes protestuesve, të cilët kanë hedhur shashka dhe sende të forta në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit u ka bërë thirrje drejtuesve të Partisë Demokratike që të tërhiqeshin nga aktet e dhunës.

Gjatë kohës që protestohej para Parlamentit, pati vetëm një moment hedhje uji në drejtim të protestuesve, që zgjati vetëm për disa sekonda. Nuk ka zgjatur më shumë se disa minuta as prania e Lulzim Bashës së bashku me liderët e tjerë opozitar para kuvendit, pasi kreu i PD-së u largua në drejtim të selisë së partisë së tij, ku mbajti dhe një fjalim përmbyllës të protestës.

“E duam Shqipërinë si gjithë Europa. Me këtë thirrje kemi nisur qëndrimin tonë më 16 shkurt, që kulmoi sot në pjesëmarrjen më masive popullore, në 29 vite. Mesazhi më i qartë i shpresë që ka nisur e nuk do të fiket deri sa beteja ndaj të keqes të fitohet plotësisht. Çdo ditë e më shumë bashkimi bëhet më i vendosur, mesazhi i sotëm është i qartë e i prerë, ndaj miqve aleatëve se jemi gati të sakrifikojmë gjithçka për votën e lirë, jemi popull i Europës e nuk do pranojmë kurrë despotizmin antieuropian të një grupi bandidësh e kriminelësh që kanë bllokuar rrugëtimin drejt Europës. Sot japim këtë mesazh të qartë e të vendosur, Europa e dëgjoi zërin tonë dhe tani është koha për zgjidhje politike, largimin e Ramës, qeveri tranzitore, zgjedhje të lira, e vetmja rrugë për të hapur dyert e mbyllura të Europës” u shpreh Basha.

Pas përfundimit të fjalës së tij, Basha dhe drejtuesit e partive të tjera opozitare kanë zhvilluar një mbledhje në selinë Blu, ku kanë vendosur edhe datën e zhvillimit të protestës së radhës. Më 31 maj do të mbahet tubimi i radhës i opozitës, pikërisht në ditën kur Partia Socialiste do të hap zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Skip to toolbar