54-vjeçari Albert Cara i cili u arrit të shpëtohej nga rrënojat e pallatit në Thumanë, është dërguar të premten për mjekim të specializuar drejt Italisë. Vetë kryeministri Rama bashkë me ministren e Shëndetësisë e kanë shoqëruar në aeroport. Albert Cara ka dëmtime të rënda në shtyllën kurrizore.
Ndërkohë që Alberti niset drejt Italisë, anëtarët e familjes së tij përcillen drejt banesave të fundit për t’i dhënë lamtumirën. Alberti humbi të gjithë familjen në rrënojat e pallatit.
Ai pësoi një tragjedi të vërtetë pasi humbi bashkëshorten Fatmirën, vajzën Erisa, djalin Hasan, Almirin dhe të fejuarën e tij Stela. Nën rrënoja mbetën të pajeta edhe Anthi Cara, nusja e xhaxhait të Albertit, dhe mbesa e saj Sadajana. Lindita Cara, vajza e xhaxhait të Albert Carës (nëna e Sadajanës) u shpëtua mrekullisht, teksa u nxor e gjallë kur mund të kishte mbi 15 orë nën rrënoja. Ajo tashmë po merr trajtim në Spitalin e Traumës në Tiranë.
Gjatë të premtes janë përcjellë për në banesën e fundit familjarët e Albertit. I pranishëm në ceremoninë e lamtumirës ka qenë vetë kryeministri Rama.