Shtyhet dhe disa ditë mësimi në Tiranë, Durrës dhe Kurbin

AKTUALITET


Ministrja e Arsimit Besa Shahini njoftoi se mësimi në Tiranë, Durrës dhe Kurbin do të nisë më 9 dhjetor dhe jo më 5 sikurse ishte njoftuar pak ditë më herët. Shahini tha se shkollat e tjera në mbarë vendin do të nisin mësimin më 5 dhjetor, përveç atyre që kanë pësuar dëmtime, për të cilat do të përcaktohen shkolla të tjera dhe do të merret përsipër transporti i nxënësve.

“Qarku Durrës, bashkia Kurbin, Vorë dhe Tiranë fillojnë mësimin në 9 dhjetor, të tjerat nesër. Në 9 qarqe që nuk janë në gjendje të jashtëzakonshme mësimi ka filluar normalisht, ndërsa për tre qarqet e tjera do të fillojë nesër pjesërisht. Në Lezhë nesër fillon në bashkinë Mirditë, një shkollë e dëmtuar në Shënkoll dhe nesër nxënësit do të jenë të zhvendosur. Në Kurbin ka numër më të madh të shkollave të dëmtuara dhe mësimi fillon në 9 dhjetor që të bëhen riparimet.

Në Rrogozhinë dy shkolla të vogla me probleme mësimi fillon nesër. Në Kamëz një shkollë e dëmtuar “Sulejman Elezi’ transferohet te “Azem Hajdari” në turnin e dytë pasdite, pra mësimi fillon nesër. Në Kavajë ka dy shkolla të dëmtuara, nxënësit do të transportohen, mësimi fillon nesër. Në Vorë është dëmtuar shkolla në Marikaj, nxënësit në Marqinet, mësimi fillon në 9 dhjetor. Në Tiranë përveç Pezës nuk ka shkolla të tjera për të nxjerrë komplet jashtë funksionit. Në Tiranë mësimi fillon në datë 9 Dhjetor”, bëri të ditur ministrja Shahini.

Ajo tha se për kopshtet dhe shkollat private pritet një konfirmim nga instituti i ndërtimit nëse janë të sigurta për të nisur aktivitetin e tyre. “Për shkollat që rrezikojnë të mos hapen as në 9 dhjetor kemi plan për t’i zhvendosur në shkolla të tjera. Në zonat rurale kemi siguruar transport. Për të gjitha shkollat private me probleme, pronarët të sjellin planin e zhvendosjes së nxënësve. Në hotelet ku janë sistemuar qytetarët kemi filluar sistemin për themelimin e shkollave të përkohshme. Mësimi do të fillojë në datë 9 Dhjetor. Dita e Rinisë 8 Dhjetor, nuk do të bëhet pushim në datë 9 për shkak të orëve që kanë humbur”, njoftoi ministrja e Arsimit.



Skip to toolbar