Shefi i Sektorit të Menaxhimit në Departamentin e Sigurisë Publike, Albert Nushi sqaroi në një deklaratë për mediat, daljen e forcave RENEA një ditë më parë në protestë në Bulevard.
“Përballë kësaj dhune, policia mori masa shtesë, për të mbrojtur jetën e punonjësve të policisë. Në terren dolën RENEA pasi bazuar në telefonatë kishte rrezik për jetën e efektivëve. Dje, strukturat e policisë përdorën pajisjet speciale për menaxhimin e turmave. U gjetën me sende të forta, sfera, mjete metalike, gurë që rrezikonin jetën e policëve. Policia apeloi për tubime paqësore, ligjin ndalon maskat shallet, që pengojnë identifikimin e tyre. Nga grupet e maskuara janë shpërndarë në rrugët e tiranës duke djegur pronë privat.
Policia vijoi detyrën janë shoqëruar 54 shtetas, 27 u arrestuar janë përfshirë në akte dhune. U sekestrua karikator me fishekë, bomba molotovë etj,
Veprime janë kryer edhe në Shkodër e Vlorë Apeloj protestuesit distancohuni nga elementë të dhunshëm, të gjithë këta individë po identifikohen, pavarësisht mbulimit të fytyrës.
Sqaroj se nuk ka oficerë të ardhur nga policitë e tjera. Lajmet e përhapura janë të pavërteta. Synojnë të shfrytëzojnë ndjenjën nacionaliste.” tha ai.
Deklarata e plotë:
Policia e Shtetit prej 6 ditësh po përballet me sulme të pandërprera, për orë të gjata, nga grupe personash të maskuar, të cilët kanë dhunuar punonjësit e Policisë së Shtetit me gurë, pllaka guri, sfera metalike, vida, sende të forta, lëndë piroteknike dhe bomba Molotov.
Krahas sulmeve ndaj Policisë, këto grupe kanë sulmuar dhe dëmtuar institucione shtetërore, institucione të drejtësisë, institucione bankare, pronë publike dhe private.
Njëkohësisht, çdo ditë vijojnë thirrjet, nëpërmjet grupeve të hapura, në platformat online dhe rrjetet sociale, për vrasjen e punonjësve të Policisë dhe djegien e automjeteve të Policisë.
Ditën e djeshme, në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ka ardhur një telefonatë, sipas së cilës, mes protestuesve kishte elementë të armatosur dhe po qëllohej me armë zjarri në momentin e sulmeve me lëndë piroteknike ndaj Policisë.
Përballë kësaj dhune dhe thirrjeve për vrasje, duke qenë se edhe ditën e djeshme sulmet ndaj Policisë kanë qenë të paprecedenta, Policia e Shtetit mori masa shtesë.
Për të mbrojtur jetën e punonjësve të Policisë në terren, të cilët janë të paarmatosur, në zbatim të ligjit për tubimet, në terren kanë dalë edhe strukturat speciale RENEA, pasi, bazuar në telefonatën e ardhur në sallën operative, ekzistonte rreziku për jetën e punonjësve të Policisë.
Njëkohësisht, gjatë ditës së djeshme, strukturat e specializuara të Policisë së Shtetit, në zbatim të procedurave standarde dhe në përputhje me shkallën e rrezikut, kanë përdorur në mënyrë të kufizuar pajisjet speciale për menaxhimin e turmave, pasi janë gjendur përballë sulmeve me sfera e vida metalike, lëndë piroteknike, bomba moltov, gurë, pllaka guri e sende të forta të cilat kanë dëmtuar dhe kanë rrezikuar jetën e punonjësve të Policisë.
Policia e Shtetit u ka bërë thirrje në mënyrë të vazhdueshme pjesëmarrësve në protesta që të distancohen nga dhuna dhe personat e maskuar, si dhe të ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për tubim në mënyrë paqësore.
Ligji për tubimet parashikon ndalimin e pjesëmarrjes në tubim me veshje ose sende të tjera, si maska, shall dhe veshje të tjera, me qëllim fshehjen e identitetit.
Në rastet kur gjatë tubimeve evidentohen persona që fshehin identitetin në kundërshtim me ligjin dhe ushtrojnë dhunë, Policia e Shtetit vepron në përputhje me kompetencat dhe procedurat ligjore përkatëse, duke ndërhyrë për shpërndarjen e tubimit kur plotësohen kushtet ligjore.
Theksojmë se grupet e maskuara dhe të dhunshme janë shpërndarë në disa rrugë të Tiranës, duke djegur pronë publike dhe private, si dhe duke shkatërruar sinjalistikën rrugore.
Njëkohësisht, i kanë vënë zjarrin hyrjes së godinës së Gjykatës së Lartë.
Pavarësisht sulmeve të pandërprera, strukturat e Policisë kanë vijuar detyrën dhe kanë shoqëruar 54 shtetas në Tiranë, nga të cilët 27 janë arrestuar dhe 27 të tjerë janë proceduar penalisht, pasi janë përfshirë në akte dhune, shkatërrim të pronës dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.
Gjatë veprimeve hetimore është sekuestruar një karikator me fishekë luftarakë, dy bomba Molotov dhe doza kanabisi, si dhe vida, sfera metalike dhe prova të tjera materiale, të cilat janë përdorur nga personat e maskuar dhe të dhunshëm gjatë sulmeve ndaj punonjësve të Policisë.
Ndërkohë, veprime janë kryer edhe në Shkodër e Vlorë, ku janë proceduar penalisht 19 persona për veprime të kundërligjshme gjatë tubimeve të djeshme në këto dy qytete.
Gjatë ditës së djeshme, nga sulmet ndaj punonjësve të Policisë në Tiranë janë plagosur 37 punonjës policie.
Policia e Shtetit u bën thirrje prindërve që të mos lejojnë pjesëmarrjen e fëmijëve të tyre në protesta, pasi jeta e tyre është e rrezikuar.
Policia e Shtetit është në mbështetje të së drejtës kushtetuese për të protestuar dhe për t’u tubuar në mënyrë paqësore. Ushtroni të drejtën tuaj për të protestuar, por distancohuni menjëherë nga elementët e dhunshëm, të cilët po rrezikojnë jetën e punonjësve të Policisë dhe të pjesëmarrësve të qetë në tubim, si dhe po shkatërrojnë pronën publike e private.
Të gjithë këta individë, pavarësisht mbulimit të fytyrës, po identifikohen nëpërmjet këqyrjes së pamjeve filmike dhe veprimeve të tjera hetimore që po kryhen në funksion të dokumentimit ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.
Së fundmi dua të sqaroj opinion publik se lajmet e publikuara se kanë ardhur oficerë nga policitë partnere për të menaxhuar tubimin, janë tërësisht të pavërteta.
Përhapja e këtyre lajmeve tërësisht të pavërteta dhe dashakeqe synojnë të shfrytëzojë ndjenjat nacionaliste për të krijuar klimë konfliktuale dhe për të cenuar besimin e qytetarëve te Policia e Shtetit.
Policia e Shtetit është e vendosur të mbrojë rendin kushtetues, sigurinë e qytetarëve dhe pronën publike e private.


