Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpërndarë ushqime dhe batanije për 70 familje shqiptare të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërkohë që ekipet e ekspertëve kanë punuar në terren dhe kanë bërë vlerësimin strukturor të 14 ndërtesave në Durrës.
“Zyra për Ndihmë të Jashtme në raste Fatkeqësish e USAID në Shqipëri vazhdon të mbështesë përpjekjet për ndihmë ndaj tërmetit të 26 nëntorit. Dje, partneri i tyre vendor, Kryqi i Kuq Shqiptar shpërndau ushqime, batanije dhe artikuj higjiene për 70 familje, ndërsa ekipi i inxhinierëve mbaruan vlerësimin strukturor të 14 ndërtesave në Durrës”, njofton Ambasada e SHBA-së në Tiranë.
SHBA ashtu si edhe shumë shtete të tjera është solidarizuar dhe ka dhënë ndihmesën e saj në Shqipëri përmes organizmave të saj si USAID dhe UNICEF.
Me mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara, UNICEF ka ofruar shërbime mbështetjeje psikologjike për fëmijët të cilët kanë humbur familjarët apo shtëpitë, dhe do t’u sigurojë atyre vende të sigurta për t’u shëruar, luajtur dhe përqendruar në mirëqenie, teksa familjet dhe komunitetet e tyre nisin rimëkëmbjen dhe rindërtimin.
Ndërsa USAID ka dërguar inxhinierë strukturash nga Departamentet Zjarrfikëse të konteve Fairfax dhe Los Angeles, të cilët kanë dhënë ndihmën e tyre në vlerësimin e dëmeve në godina dhe infrastruktura.