Minxhozi: Jo të gjitha Çadrat janë njëlloj

AKTUALITET


Nga Skënder Minxhozi

Një javë nga tërmeti më shkatërrimtar i 40 viteve të fundit, politika shqiptare nuk ka gjetur kohë dhe vullnet që të shihet në sy e të ulet e të flasë mes vetes, për mënyrën sesi vendi do të dalë nga tuneli i errët i tragjedisë ku e futi forca e verbër e natyrës.

Në këto ditë emergjencash ekstreme, me të vdekur e të plagosur që nxirreshin nga rrënojat, palët politike kanë rënë dakord për një “antantë” krize, diçka mëse e domosdoshme dhe e lavdërueshme për të siguruar një minimum normaliteti në mes të rrënojave. Është merita kryesisht e opozitës që është instaluar ky pakt mossulmimi në distancë, e kjo i ka dhënë një imazh serioz e konstruktiv Bashës e krerëve të partive të tjera opozitare.

Këto orë po flitet ndërkaq për një hap tjetër, më të avancuar, drejt uljes së armëve mes qeverisë dhe opozitës. Edi Rama ka kërkuar në mënyrë të përsëritur që të ketë një takim me Lulzim Bashën, për të shqyrtuar idetë dhe propozimet që pakica ka, në lidhje me daljen nga kriza humanitare dhe për rindërtimin e zonave të shkatërruara nga tërmeti. Nga ana e tij, Basha po mjaftohet me aktivizimin në ndihmë të zonave të goditura dhe kontaktet me tekniciecët e inxhinierët që ofrojnë ekspertizë rreth situatës, por pa pranuar ftesën e kryeministrit.

Një cic-mic ftesash e kundër-mesazhesh po shkëmbehet këto orë mes dy krerëve politikë, që të kujton dy krizat politike, atë të Çadrës së vitit 2017 dhe këtë të vitit që po mbyllet, kur u dogjën mandatet parlamentare dhe u braktisën bashkitë. Është i njëjti hezitim, i njëjti paragjykim, e njëjta mungesë e theksuar besimi.

Askush s’e paragjykon sot Lulzim Bashën që të mos i besojë Edi Ramës. Shkaqet për një qëndrim të tillë janë të vjetra, të thella dhe vetë opozita mendon se janë edhe të përligjura. Por jo të gjitha Çadrat ngjajnë mes tyre. Dhe me çadër nënkuptohet jo domosdoshmërisht ngrehina 100 ditëshe e opozitës në bulevard dy vjet më parë, por në përgjithësi loja politike meskine të të dyja palëve, kalkulimet e tyre të vogla në funksion të pushtetit.

Ndërkohë , përballë kësaj çadre aspak të lavdishme në kushtet ku ndodhemi të gjithë, ngrihen çadrat e 4500 shqiptarëve që mëngjesi i 26 nëntorit i la pa shtëpi dhe pa të gjithë investimin e jetës. Këto dy lloja çadrash nuk ngjajnë aspak mes tyre dhe pikërisht pse është kështu, sot tingëllon e tejkaluar dhe banale që të kalkulosh me logjikën e vitit 2017, se po i dhe dorën kundërshtarit, ai do ta përdorë foton e rastit me ty për kapital politik.

Tërmeti nuk i ka rënë qeverisë, i ka rënë Shqipërisë. Dhe Shqipërinë e përfaqëson jo vetëm qeveria. Ndodhemi përballë një emergjence të tillë, kur është imperative që secili të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Qeveria, përgjegjësinë për nxjerrjen e vendit nga drama e tërmetit, opozita, përgjegjësinë për të përfaqësuar atë pjesë të popullit që e ka votuar dhe për të dhënë mbështetjen e saj aktive në kushtet ku ndodhet vendi.

Basha ka bërë publike tre propozime konkrete në lidhje me daljen nga kriza humanitare dhe rindërtimi. Është rasti që t’ja thotë Ramës në sy atë që mendon, jo duke bërë “ekskursione” sa për shou me kryeministrin nëpër rrënoja me kamerat pas, por në zyrat e selitë e këtij shteti, hapur dhe publikisht, duke e parë në sy. Le t’ja heqë alibinë kryeministrit, që ndoshta po tenton tinëzisht ta mbajë larg Bashën, pikërisht duke e provokuar publikisht e duke e ngacmuar me ftesa për t’u takuar!

Është koha që palët të ulen, ndryshe loja e propozimeve e ftesave pa përgjigje do të zbulojë në sytë tanë si popull, se këta nuk ditkan të ulen e të zbuten edhe përballë tërmeteve. Kursejani këtë akt papërgjegjshmërie këtij populli.



Skip to toolbar