Laçi “poker” ndaj gjirokastritëve, Luftëtari fundoset në “betejën” kurbinase

SPORT


Nën drejtimin e Armando Cungut duket se Laçi po ndryshon objektivat e sezonit. Ndeshje pas ndeshje, ekipi kurbinas jo vetëm që u largua nga zona e ftohtë e renditjes, por tashmë e sheh veten në kreun e saj, të paktën për momentin. Të shtunën në mesditë, skuadra e Laçit u përball me Luftëtarin e Gjirokastrës, të cilin e mundi me rezultatin 4-0.

Kjo ishte fitorja e 6 në 7 ndeshjet e fundit për Laçin. Redon Xhixha hapi serinë e golave për Laçin në minutën e 17-të, duke kaluar të tijët në avantazh. Rezultati mbeti i pandryshuar deri dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur Nuabueze gjeti rrjetën duke i çuar shifrat në 2-0.

Në pjesën e dytë ishte braziliani Teko që gjeti dy herë rrjetën, duke katërfishuar shifrat dhe vulosur fitoren e Laçit. Ai shënoi në të 53` dhe 72`, duke i dhënë një fitore të merituar skuadrës kurbinase.

Tashmë Laçi e sheh veten me 25 pikë dhe në vend të parë, po aq sa Partizani që u mund të premten në derbi nga Tirana. Luftëtari mbetet në vend të parafundit me 8 pikë, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën në kampionat.

Kujtojmë se skuadra e Laçit ka shënuar deri më tani 26 gola, më shumë se çdo ekip tjetër në kampionat. Vetëm sulmuesi Kirian Nuabueze ka shënuar 14 gola, duke hedhur kandidaturën për të fituar këpucën e artë këtë sezon.



Skip to toolbar