Laçi “poker” ndaj gjirokastritëve, Luftëtari fundoset në “betejën” kurbinase

Nën drejtimin e Armando Cungut duket se Laçi po ndryshon objektivat e sezonit. Ndeshje pas ndeshje, ekipi kurbinas jo vetëm që u largua nga zona e ftohtë e renditjes, por tashmë e sheh veten në kreun e saj, të paktën për momentin. Të shtunën në mesditë, skuadra e Laçit u përball me Luftëtarin e Gjirokastrës, të cilin e mundi me rezultatin 4-0.

Kjo ishte fitorja e 6 në 7 ndeshjet e fundit për Laçin. Redon Xhixha hapi serinë e golave për Laçin në minutën e 17-të, duke kaluar të tijët në avantazh. Rezultati mbeti i pandryshuar deri dy minuta para përfundimit të pjesës së parë, kur Nuabueze gjeti rrjetën duke i çuar shifrat në 2-0.

Në pjesën e dytë ishte braziliani Teko që gjeti dy herë rrjetën, duke katërfishuar shifrat dhe vulosur fitoren e Laçit. Ai shënoi në të 53` dhe 72`, duke i dhënë një fitore të merituar skuadrës kurbinase.

Tashmë Laçi e sheh veten me 25 pikë dhe në vend të parë, po aq sa Partizani që u mund të premten në derbi nga Tirana. Luftëtari mbetet në vend të parafundit me 8 pikë, duke rrezikuar seriozisht mbijetesën në kampionat.

Kujtojmë se skuadra e Laçit ka shënuar deri më tani 26 gola, më shumë se çdo ekip tjetër në kampionat. Vetëm sulmuesi Kirian Nuabueze ka shënuar 14 gola, duke hedhur kandidaturën për të fituar këpucën e artë këtë sezon.

Supergolat e Laçit “shkatërrojnë” Skënderbeun

Korça ishte pritëse e ndeshjes Skënderbeu-Laçi, por që rezultoi në marrjen e 3 pikëve nga kurbinasit. Një ndeshje interesante ku në pjesën e parë mbizotëruan korçarët dhe në të dytën kurbinasit. Ndeshja u mbyll me rezultatin e thellë 1-4 për Laçin. Goli i parë u shënua nga Skënderbeu që më pas u pasua nga goli i Laçit duke mbyllur pjesën e parë barazim 1-1.

Në pjesën e dytë u shënuan 3 gola nga skuadra e Laçit, përkatësisht dy nga sulmuesi amerikan Nuabueze në minutën e 48’ dhe 83’ dhe një gol i Xhixhas në minutën e 63’.

Me 3 pikët e fituar ndaj korçarëve, Laçi renditet në vend të 5-të me 16 pikë, ndërsa Skënderbeu zbret në vendin e 8-të me 14 pikë.

Pjesa e parë/ Bylis befason Tiranën. Kukësi e Laçi e mbyllin në avantazh

Janë duke u luajtur ndeshjet e javës së fundit të fazës së Parë të Superligës. Katër nga pesë takimet e javës së nëntë, luhen të mërkurën, ndërsa të enjten luhet kryesfida e kësaj ajve ajo mes Partizanit dhe Skënderbeut. Tre takimet e mesditës, po dhurojnë spektakël, pasi pjesët e para janë mbyllur me fitoren e ekipeve vendase.

Konkretisht, Bylis është duke fituar ndaj Tiranës me rezultatin 2-0. Golin e parë për mallakastriotët e realizoi ish-mbrojtësi i Tiranës sezonin e kaluar, Jurgen Goxha. Mbrojtësi i Bylis gjeti rrjetën në minutën e pestë, ndërsa në të 25` Guido dyfishoi rezultatin. Nëse takimi mbyllet me fitoren e Bylis, skuadra mallakastriote do të jetë në krye të renditjes me 16 pikë, të paktën deri të enjten.

Kukësi është duke mundur Luftëtarin gjithashtu me rezultatin 2-0. Skuadra e trajnerit Duro shënoi që në fillim të ndeshjes me Valon Ethemin, i cili gjeti rrjetën në minutën e dytë. Ndërkohë, Vasil Shkurtaj dyfishoi për verilindorët në të 26`, duke i dhënë avantazhin e dy golave në pjesën e parë skuadrës së tij.

Laçi gjithashtu shënoi dy gola ndaj Teutës në pjesën e parë në takimin e javës së nëntë. Skuadra kurbinase gjeti rrjetën në të 18` me Teco dhe më pas sulmuesi dyfishoi në të 28`, duke i dhënë avantazhin në pjesën e parë Laçit. Takimi tjetër i ditës së mërkurë është ai mes Flamurtarit dhe Vllaznisë që luhet pasdite në orën 16:00.

Sulejman Starova largohet nga Laçi

Laçi vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me trajnerin Sulejman Starova. Sipas Panorama Sport, klubi kurbinas gjen dhe zëvendësuesin e trajnerit të larguar. Ai do të jetë shkodrani Armando Cungu, që rikthehet te skuadra e Laçit pas disa sezonesh.

Megjithatë, asnjë nga palët nuk e ka konfirmuar zyrtarisht lajmin. Stavora mori drejtimin e skuadrës së Laçit në fund të sezonit të kalur. Pas ecurisë jo të mirë në kupat e europës, trajneri vijoi punën për përgatitjet e sezonit të ri.

Në shtatë javët e para të kampionatit, Laçi grumbulloi vetëm 7 pikë duke mbetur në vendin e tetë në renditje, që praktikisht do të thotë rrezik për mbijetesën. Në këto 7 takime, Laçi fitoi vetëm një, barazoi 4 dhe 2 të tjerë janë humbje.

Ndërkohë, Armando Cungu rikthehet të drejtojë një ekip futbolli pas disa muajsh mungesë në fushën e trajnimit. Për herë të fundit ai drejtoi ekipin e Kukësit në Superligë, por u largua prej tij për shkak të rezultateve të dobëta në Mars të këtij viti.

Superliga, ditë barazimesh

Janë luajtur të dielën dy ndeshjet e radhës të Superligës të vlefshme për javën e pestë të kampionatit. Flamurtari ka “shpërthyer” në gola por ka dalë vetëm me një pikë nga fusha e tij, pasi barazoi 3-3 me Laçin. Ishte Denis Pjeshka ai që hapi serinë e gjashtë golave në Vlorë. Në minutën e 28, Pjeshka zhbllokon rezultatin për Flamurtarin, ndërsa në të 39` Xhixha ka barazuar për kurbinasit.

Megjithatë, në fund të pjesës së parë, Xhevair Sukaj gjen përsëri rrjetën duke rikthyer vlonjatët në avantazh, të cilët shkojnë në pushimin e pjesës së parë të qetë. Në të dytën loja flet për miqtë. Në të 64`, Laçi barazon me Teco, ndërsa tre minuta më vonë Nuabueze shënon dhe golin e avantazhit për kurbinasit.

Por pavarësisht kësaj, Flamurtari nuk dorëzohet, pesë minuta para përfundimit të ndeshjes Haruni gjen rrjetën për vlonjatët, duke vendosur dhe takimin në shifrat 3-3. Për Flamurtarin kjo është pika e parë e kampionatit pas pesë javësh, ndërkohë që Laçi ngjitet në vendin e tetë të renditjes me 5 pikë, 1 më shumë se Luftëtari.

Ndërkohë në sfidën tjetër të kësaj jave, Vllaznia ka barazuar 0-0 në shtëpi me Luftëtarin, duke ndarë nga një pikë mes tyre. Ka qenë një pikë me shumë vlerë në fakt për gjirokastritët, që prej dy javësh janë rikthyer te rezultatet pozitive, ndërsa Vllaznia humbi një shans për të shkuar në mesin e tabelës. Pas ndeshjes të së dielës, shkodranët ndodhen në vendin e 7 të renditjes me 6 pikë ndërsa Luftëtari ndodhet në vendin e 9 me 4 pikë.

Partizani bie në Laç. Starova i jep “leksion” Lerdës

Në katër ndeshje, dy humbje dy fitore. Partizani e ka nisur në mënyrën më të keqe të mundshme kampionatin këtë sezon, pasi ndryshe nga sa mendohej, kampionët në fuqi të Superligës, nuk po arrijnë të gjejnë ecurinë pozitive.

Në takimin e javës së katërt të kampionatit, Laçi priti në shtëpi Partizanin, duke marrë tre pikë përballë të kuqve, me të vetmin gol të shënuar nga Regi Lushkja. Ishte minuta e 60-të e takimit, kur Lushkja realizoi një gol të bukur nga distanca duke lënë të shtangur Alban Hoxhën.

Gjatë pjesës së parë loja ka qenë e ekuilibruar, me të dyja skuadrat që kanë qarkulluar topin në mesin e fushës. Megjithatë, Partizani ka tentuar më shumë portën kundërshtare, por pa arritur të rrezikojë seriozisht. Në të dytën, Laçi kërkon të thyejë balancat, duke shtuar presionin. Shpërblimi vjen me golin e Lushkjes në të 60`, ku kurbinasit kalojnë në avantazh me rezultatin 1-0.

Pas golit, Partizani ndryshon disi lojën. Çinari zbret disa herë në portën kundërshtare, por  pa bërë asgjë, ndërkohë që trajneri Lerda tenton gjithçka me ndryshimet që kryen. Pas fitores së të dielës, Laçi shkon në kuotën e 4 pikëve, dhe mban vendin e tetë në renditje, ndërsa Partizani mbetet në vend të pestë me 6-të pikë.

Fitorja e Laçit ishte edhe një përgjigje që Sulejman Starova i dha trajnerit të Partizanit, Franko Lerda. Italiani u shpreh më herët se Starova është strateg, por në Laç do të fitonte Partizani. Kjo gjë nuk ndodhi, e kundërta po. Starova heshti me fjalë, iu përgjigj në fushë.

Skënderbeu merr kreun e Superligës, vuan Partizani në Gjirokastër

Janë lujatur të mërkurën katër ndeshjen e radhës të javës së dytë të Superligës. Skënderbeu ka marrë kryesimin e kampionatit me 6 pikë të plota, pasi ka mposhtur Laçin me rezultatin 1-2. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja ka triumfuar në fushë kundërshtare duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë, ku kurbinasit shënuan me Nuabueze në minutën e 20-të të takimit. Megjithatë, me nisjen e pjesës së dytë të lojës, Dejvi Bregu nga brenda zonës ka shënuar një super gol, duke rikthyer barazpeshën në minutën e 48-të.

Në të 66` ishte  goli i Otto John, nga i njëjti pozicion si Bregu, që mposhti portënkurbinase duke shënuar golin e dytë dhe të fitores për skuadrën e Skënderbeut. Bylis dhe Vllaznia, ‘derbi’ i debutuesve’ këtë sezon në Superligë është mbyllur në barazim pa gola. skuadra mallakastriote, e cila luante përballë tifozëve të saj ka qenë më agresive në fushën e lojës gjatë pjesës së parë, ndërkohë që shkodranët nuk kanë pasur fat.

Partizani ka fituar minimalisht në transfertë ndaj Luftëtarit në Gjirokastër, duke lënë pas humbjen e ndeshjes së javës së parë me Kukësin. Ka mjaftuar një gol i shënuar në minutën e 15-të ndeshjes nga Bruno Telushi, për t`i dhënë tre pikët skuadrës së Partianit. Megjithatë, ekipi i ‘kuq’ ka pasur shumë vështirësi në gjetjen e rrjetës, duke shfaqur shumë konfuzion në lojën e skuadrës. Pas fitores, Partizani merr tre pikët e para dhe ngjitet në vendin e gjashtë të renditjes. Në mbrëmje do të luhet në Vlorë ndeshjes mes Flamurtarit dhe Kukësit.

Shtubina i jep fund me Laçin, por s`tregon gjë për të ardhmen

Sulmuesi Ndriçim Shtubina i ka dhënë fund aventurës me skuadrën e Laçit. Me anë të një statusi në rrjetet sociale, shkodrani ka lajmëruar përfundimin e karrierës me skuadrën kurbinase.

“Laçi shumë faleminderit për këto 2 vite që ishim bashkë. Po largohem me respektin më të madh, nuk dua të vazhdoj me listën e falënderimeve, sepse është shumë e gjatë. Me respekt Ndriçim Shtubina”, shkruan ish-futbollisti i kurbinasve.

Shtubina ishte një nga lojtarët e spikatur sezonin e fundit në Superligë, duke shënuar 12 gola në të gjitha kompeticionet me skuadrën e Laçit.

Gjatë sezonit që lam pas, Shtubina ishte një nga lojtarët më të aktivizuar të Laçit, duke luajtur në 34 ndeshje të kampionatit.

Tashmë 32-vjeçari pritet me interes destinacioni i ri i tij, ndërkohë që merkato vijon deri në 24 gusht në kampionatin tonë, ditë që nis zyrtarisht Superliga për sezonin e ri.

Dështon ëndrra evropiane e ekipeve shqiptare, Kukësi, Teuta dhe Laçi largohen me turp nga Europa League

Teuta, Laçi dhe Kukësi i kanë dhënë fund me turp aventurës në Europa League për këtë sezon, duke treguar dhe njëherë nivelin e dobët të futbollit shqiptar. Skuadra durrsake, e rikthyer në Europë pas shumë sezonesh mungesë, është eleminuar nga letonezët e Ventspils, pasi ka humbur me rezultatin e përgjithshëm 1-3. Teuta fitoi të enjten ndeshjen e kthimit në shtëpi ndaj skuadrës së Ventspils me një gol të Sherif Kallakut, por kaq nuk ka mjaftuar, pasi miqtë fituan ndeshjen e parë në shtëpi me rezultatin 3-0.

Me rezultatin përfundimtar 1-4 (për të dyja ndeshjet), edhe Kukësi është eleminuar nga Europa League nga hungarezët e Debrecen. Në ndeshjen e luajtur në “Elbasan Arena”, skuadra e Ernest Gjokës nuk ka shkuar më shumë se barazimi 1-1, duke mos arritur të bënte mrekullinë. Ka qenë Valon Ethemi ai që ka shënuar golin e vetëm për verilindorët në Europa League në dy ndeshjet e turit të parë kualifikues, por që nuk mjaftoi kundër 4 golave të Debrecen.

Laçi është mundur nga Hapoel Beer Sheva në Izrael me rezultatin 1-0, pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë luajtur në shtëpi. Skuadra e Sulejman Starovës ka tentuar të bëj më të mirën në Izrael, por një gol i Sabag i shënuar në minutën e  69` të takimit, ka prishur ëndrrën e kurbinasve.

Në këtë mënyrë, të treja skuadrat shqiptare, Teuta, Kukësi dhe Laçi, i japin fund aventurës në kupat e Europës shumë herët, duke humbur mundësinë për të vijuar më tej, e njëkohësisht për të arkëtuar shuma të konsiderueshme të ardhurash. I vetmi ekip që vijon ende në Europë, është Partizani, që pas eleminimit në Champions, tashmë do të luajë në Europa League.

Laçi barazon në shtëpi, Kukësi bie në Hungari, kualifikimi vendoset në kthim

Laçi ka barazuar ndeshjen e parë të turit kualifikues në Europa League, që luajti kundër Hapoel Beer Sheva, nga Izaraeli. Skuadra kurbinase ka bërë një ndeshje të mirë në stadiumin e qytetit të saj, duke kaluar e para në avantazh.  Në minutën e tretë të takimit, një aksion i shpejt nga krahët do të finalizohej me gol për Laçin.

Është sulmuesi Nëabueze, që shndërron në gol me kokë nga brenda zonës, një kros që erdhi nga jashtë zone.  Megjithatë, miqtë barzuan takimin në minutën e 78`, Levi për miqtë shënoi nga brenda zonës, duke mposhtur Gentian Selmanin, dhe për rrjedhojë duke vendosur kualifikimin javën e ardhshme në Izrael.

Në krahun tjetër, Kukësi është mundur me rezultatin 3-0 nga Debreceni në Hungari, duke shuar pothuajse shpresat për kualifikim në turin tjetër të Europa League. Skuadra e drejtuar nga Ernest Gjoka, arriti të mbante të paprekur portën në pjesën e parë, por në të dytën gjithçka foli për miqtë. Garba në minutën e 54` dhe Varaga me dygolësh në minutën e 77` dhe 83`, vulosi rezultatin 3-0, duke vështirësuar shumë pozitat e Kukësit për kualifikim.

Skip to toolbar