Jo vetëm për viktimat, Prokuroria hetim edhe për ndërtesat ku pati të plagosur

#NËRADAR


Pas 18 urdhër arresteve për 18 persona, disa prej të cilëve u ndaluan nga Policia e Durrësit, Prokuroria e këtij qyteti shpërndau një deklaratë për shtyp. Në fillim, Prokuroria sqaron se për 23 personat që humbën jetën në ndërtesat e shembura nga tërmeti në Durrës, faji është edhe i ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat apo standardet në fushën e ndërtimit.  “Nga veprimet e para hetimore të kryera, dyshohet se dëmtimet e këtyre godinave (objekteve) dhe pasojat në jetët e njerëzve kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes së ndërtimeve pa respektuar rregullat, normat dhe standardet në fushën e ndërtimit. Po kështu ka dyshime se këto pasoja, kanë ardhur edhe si shkak i kryerjes apo moskryerjes së detyrës nga inxhinierët projektues, zbatues, mbikëqyrës dhe kolaudator të këtyre ndërtimeve, si dhe nga veprimet e kryera në kundërshtim me ligjin nga nëpunësit shtetërorë dhe publik të ngarkuar me kontrollin dhe mbikëqyrjen e këtyre ndërtimeve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Durrësit.

Më tej, organi i akuzës në Durrës sqaron se për 18 personat që është urdhëruar ndalimi i tyre, “ekzistojnë dyshime të bazuara në prova se kanë konsumuar veprat penale të “Vrasjes me dashje”, “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “Shpërdorimit të detyrës”, “Falsifikimit të dokumenteve”,etj, të parashikuara nga nenet 76,79/dh,248,186/3 të Kodit Penal”.


Gjithashtu, Prokuroria beson se ndërtuesit formal apo informal të ndërtimeve ku humbën jetën disa persona, nuk janë zbatuar rregullat e nërtimit duke sjellë edhe pasojat me vdekjen e disa personave. “Nga ana e ndërtuesve formal dhe informal të këtyre objekteve ndërtimi, ka rezultuar se në kundërshtim me rregullat dhe normat në fushën e ndërtimit dhe konkretisht ku për shkak të dëmtimit në strukturën e objekteve, ka sjell si pasojë vdekjen e disa personave të ndarë sipas objekteve përkatëse. Për këto veprime dyshohet se këta persona kanë kryer elementët e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79 germa “dh” të Kodit Penal”.

Përgjegjësia shkon edhe për zyrtarët e institucioneve publike, që kanë autoritetin e kontrollit të ndërtimeve. “Nga ana e funksionarëve publikë në zyrat e Aluiznit, IMT, Shtëpisë së Pushimit, janë kryer veprime në kundërshtim me ligjet përkatëse të fushës që ata mbulojnë duke sjellë për rrjedhojë kryerjen e veprimeve në kundërshtim me ligjin nr.9482 date 03.04.2016 i ndryshuar “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, per regjistrimin e objekteve pa i plotësuar kushtet tekniko ligjore të tij, duke sjellë pasoja në jetët e njerëzve. Nga ana e subjekteve projektues, mbikëqyrës punimesh, kolaudues tek ndërtimet me leje janë kryer veprime në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fushën e ndërtimit por një pjesë prej tyre nuk jetojnë dhe është e pamundur ligjërisht për të kryer hetime ndaj tyre”.

Por, hetimet sipas Prokurorisë, nuk do të fokusohen vetëm te objektet e shembura që morën 23 jetë njerëzish. Sipas saj, hetimet do të shtrihen edhe te ndërtesat që lanë dhjetëra persona të plagosur.  “Nga ana e organit të prokurorisë po i kushtohet një kujdes i vazhdueshëm ndjekjes së hetimeve lidhur edhe me objektet e dëmtuara në të cilat kanë ardhur pasoja të lehta për shëndetin e qytetarëve, si dhe në objektet në të cilat janë shkaktuar dëmtime të rënda materiale. Siç jeni në dijeni drejtpërdrejtë nga tërmeti janë shkaktuar 23 viktima, kanë ndodhur dëmtime të rënda të objekteve dhe banesave të një numri të madh qytetarësh dhe nga ana e Organit të Procedimit është ndërhyrë që krahas sigurisë publike për shëndetin e njerëzve të sigurohen edhe provat e nevojshme në vijim të hetimeve që lidhen me provat materiale të elasticitetit të materialeve të hekurit të përdorur, forcës se betonarmeve, si dhe cilësisë së materialeve të tjera të ndërtimit”, thuhet në deklaratën e Prokurorisë.




Skip to toolbar