Tifozët rrahin arbitrin në Peqin

AKTUALITET


Dhuna vijon të mbetet një shqetësim për futbollin shqiptar. Të shtunën aktet e shëmtuara të dhunës u shfaqën në stadiumin e Peqinit, aty ku zhvillohej ndeshja me Shkumbinit dhe Dinamos, e vlefshme për Kategorinë e Parë. Arbitri i takimit, Sokol Bebja është dhunuar barbarisht nga tifozët e skuadrës së Shkumbinit, të cilët u futën në fushën e blertë duke qëlluar me grushta e shklema arbitrin. Ndeshja ishte mjaft e tensionuar gjatë gjithë zhvillimit të saj. arbitri Bebja u detyrua të nxirrte 3 kartonë të kuq dhe 8 verdhë gjatë takimit për të dyja skuadrat.

Duket se kjo gjë nuk u pëlqeu tifozëve vendas, të cilët u futën në fushën e lojës dhe dhunuan arbitrin e ndeshjes. Ky nuk është rasti i parë që dhuna shfaqet në kampionatin e futbollit në vend për këtë sezon. Ndërkohë që qeveria ka miratuar ashpërsimin e masave në Kodin Penal, ku të gjithë ata që dhunojnë lojtarët apo zyrtarët e ndeshjeve, dënohen deri në 3 vite burg.


Dinamo reagoi me një komunikatë, duke i quajtur të tilla akte të nxitura nga faktorë të jashtëm që mundohen të diktojnë fatet e ndeshjes. “Çdo ndeshje e Dinamos në transfertë po shoqërohet me presione që nuk kanë lidhje me fushën e lojës. Në fund të ndeshjes së sotme është dhunuar arbitri Sokol Bebja! Nuk është hera e parë që faktorë të jashtëm mundohen të ndikojnë në fatet e ndeshjes. Dinamo ka qënë, është dhe do të jetë gjithmonë Fair Play, brenda dhe jashtë fushe”, thuhet në deklaratën e klubit të Dinamos. Ndeshja midis Shkumbinit dhe Dinamos u mbyll me rezultatin 1-1.




Skip to toolbar