“ERTV mos ma prekni”, Rama: Paketa anti-shpifje, e konsultuar nen për nen me OSBE

POLITIKË


Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me kritikat dhe kundërshtitë për paketën anti-shpifje nga gazetarët dhe opozita duke thënë se ky projekt-ligj është konsultuar me OSBE-në prej një viti dhe nuk ka asnjë qëllim të cenojë standardet e lirisë së fjalës. Përkundrazi, Rama thotë se pikërisht ky ligj mbron nga shpifjet dhe se nuk prek standardet e lirisë dhe të drejtën për t’u shprehur.

“Ose s’e kanë lexuar projekt-ligjin ose duan të prekin lirisht dinjitetin e çdokujt nëpër portale e faqe sociale dhe të tallen me të vërtetën e me opinionin publik, duke shkruar çfarë t’u teket, duke shpifur sa e si t’u teket, duke shantazhuar e duke i vënë gjoba kujt t’u teket! Projekt-ligji është konsultuar e përpunuar prej një viti, nen për nen e pikë për pikë me OSBE dhe do të hyjë në seancë pa asnjë cen në aspektin e standardeve të lirisë për t’u shprehur e të së drejtës për t’u informuar pa kufizim, po edhe të mundësisë për t’u mbrojtur nga shpifjet” shkruan Rama në twitter.

Në lidhje me sulmet ndaj ERTV, Rama tha se ajo është fjala e tij e drejtpërdrejtë dhe kushdo mund të qëndrojë ose jo pa asnjë detyrim për ta parë dhe dëgjuar.

“Sa për “ERTV” faleminderit për publicitetin dhe mos ma prekni ju lutem fjalën time të drejtpërdrejtë, për të gjithë ata që hyjnë pa asnjë detyrim në faqen time të fejsbukut, ku po u pëlqeu rrinë po s’u pëlqeu ikin”, shkruan Rama.

Komisioni i Ligjeve kaloi ditën e hënë paketën “Anti-shpifje” dhe më 19 dhjetor do të kalojë për miratim në Kuvend.



Skip to toolbar