Drejtori i Institutit të Ndërtimit, Agron Hysenlliu deklaroi se pas tërmetit të fuqishëm që goditi vendin më 26 nëntor, që la pas 51 persona të vdekur, të gjitha godinat që janë projektuar pas viteve 1990 nga inxhinierë, kanë qëndruar në këmbë dhe nuk janë dëmtuar. I ftuar në emisionin “Real Story” të Sokol Ballës, Hysenlliu tha se deri më tani ka kryer 24 mijë inspektime në terren. Ndërsa u ndal tek rastet specifike Hysenlliu pohoi se mes godinave që ka inspektuar kanë qenë dhe ato në Qytet Studenti, që sipas tij ishin dëmtuar rëndë, pasi lëviznin soletat. Ndërkohë, drejtori i Institutit të Ndërtimit tha se nuk ka asnjë informacion në lidhje me inspektimet që janë bërë në Thumanë gjatë tërmetit të 21 shtatorit.
“Problematika është kjo që të gjitha godinat, ne kemi bërë akt konstativ dhe godinat nuk kanë pasur dëm. Tek tërmeti i dytë ka pasur dëmtime. Ne duhet të konceptojmë drejt se çfarë është akt konstatimi. Ai do të thotë se ne shkojmë në një godinë dhe konstatojmë nëse kjo godinë ka pësuar dëmtime apo jo. Ne shikojmë nëse strukturat kanë apo nuk kanë dëme. Unë do të jap një rast. Kam vajtur në QS dhe kam parë që soletat tundeshin. Në katin e parë, të dytë e deri në të pestin. Ajo strukturë është konsumuar. Intensitetet që janë marrë për ato godina, kanë qenë të vogla. Sot teknologjia po i rrit intensitetet. Pas viteve 90 të gjitha godinat që janë projektuar me inxhinierë i kanë rezistuar tërmetit. Ato kanë pasur dëmtime në rifiniturë. Nuk është hata se do të plaset muri. Dëmtimet nuk kanë qenë në strukturat, e thanë edhe sizmologët grekë. Kam kryer 24 mijë inspektime me të gjithë njerëzit që janë në terren. Nga një tërmet 8 ballë ky objekt i mbijetoi. Por se dimë nëse do t’i mbijetojë një tërmeti më të fuqishëm. Kështu ka ndodhur dhe në Thumanë. Kanë shkuar në Thumanë dhe thanë se s’ka pasur probleme në struktura. Falënderim për njerëzit e mi që janë në terren edhe tani. Ju vini të gjithë me kostume, unë jam akoma me xhupin e punës. S’do e pranoj kurrë që të hidhet baltë mbi njerëzit qe punojnë në terren. Kam shkuar disa herë në shkollën ‘Sabaudin Gabrani’ se prindërit kanë merak. Kam pasur 1 mijë thirrje në telefon. S’kam lënë njeri pa shkuar. Dhe sot të thuhet që; s’kemi sistem? Këtë se pranoj kurrë. Të 509 inxhinierët që janë në terren me mua, më janë gjendur pranë. Në këtë punë titanike”, pohoi Hysenlliu.