Tërmeti i 21 shtatorit? Xhaçka: Kontrolli, përgjegjësi e pushtetit vendor

AKTUALITET


Aktet e kontrollit për banesat e Thumanës ka ngritur një pikëpyetje të madhe, nëse ka pasur një të tillë dhe si ka qenë konkluzioni, nëse ato banesa ishin të banueshme apo jo. Për këtë çështje, gazetari Sokol Balla ka pyetur ministren e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila foli në Real Story dhe deklaroi se përgjegjësia bie mbi pushtetin vendor. Por pushteti vendor, deri më sot nuk ka dhënë asnjë përgjigje mbi këtë çështje.

Gazetari Balla e pyeti ministren Xhaçka, nëse ka pasur një akt kontrolli dhe cili ka qenë rezultati i kontrollit pas tërmetit të 21 shtatorit për pallatet e Thumanës. “Përgjegjësia për të bërë vlerësimin e dëmeve, është e pushtetit vendor. Me vendim të këshillit bashkiak dhe me gjithë grupet e ekspertëve të ngritur pranë pushtetit vendor. Ky proces, i nisur nga 21 shtatori”, deklaroi Xhaçka. Gazetari Balla ndërhyri, duke pyetur sërish: “Pra pushteti lokal duhet të kishte bërë vlerësimin e banesave?” “Ekzaktësisht dhe jam e bindur se pushteti vendor po bën sërish vlerësimin e dëmeve”, deklaroi Xhaçka.


Por deri më sot nuk deklaruar asgjë nga Bashkia Krujë mbi tërmetin e 21 shtatorit dhe nuk dihet arsyje pse nuk ka një reagim prej tyre. Ky shqetësim është ngritur që pas tërmetit si nga ekspertët, por së fundmi edhe nga opozita, e cila ka kërkuar të dijë nëse ishte bërë një verifikim dhe çfarë ishte vendosur nga grupet e vlerësimit. Madje, kjo ka qenë një ndër arsyet që në vizitën e parë në Krujë, kryeprokurori i ri, Olsian Çela inspektoi Prokurorinë e Krujës menjëherë pas vizitës në prokurorinë e Durrësit, nga ku deklaroi që shkelësit do të mbajnë përgjegjësi, qofshin zyrtarë apo ndërtues. Një përgjigje të pjesshme ka dhënë kreu i emergjencave civile, po në Real Story, duke u shprehur se nuk ka pasur një akt vlerësimi që pallatet të shemben, pavarësisht se nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Nga ana tjetër, banorët e Thumanës kanë pretenduar se ato pallate ishin shpallur të pabanueshme që një vit më parë. Madje, ata ndihen të frikësuar të kthehen në banesat e tyre, nëse pallatet nuk rindërtohen. Por, kjo çështje, tashmë ka kaluar në dorën e prokurorisë, ku kryeprokurori ka dhënë porosi të qarta, jo vetëm për Prokurorinë e Krujës, por edhe të Durrësit, Lezhës e Tiranës, ku janë shënuar dëmet më të konsiderueshme nga tërmeti i 26 nëntorit. Po ashtu, prokuroria do të verifikojë edhe aktin e konstatimit për pallatet e rrëzuara në Thumanë, nëse verifikimi dhe konkluzioni ka qenë i saktë. Që pas tërmetit, prokuroria ka kërkuar dokumentacionin përkatës nga të gjitha institucionet, ndërsa është ngritur kërkesa për inxhinierë, të cilët do të ndihmojnë hetimet në nxjerrjen e konkluzioneve përfundimtare.




Skip to toolbar