Kreu i SPAK, sot intervista me 3 kandidatët në KLP

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë do të intervistojë të mërkurën (18 dhjetor 2019) tre kandidatët që synojnë të marrin kreun e Prokurorisë Speciale. Edvin Kondili, Altin Dumani dhe Arben Kraja janë tre kandidatët që do të synojnë drejtimin e SPAK.

Pasi u emëruan nga KLP si anëtar të këtij institucioni, Kondili, Kraja dhe Dumani shprehën interesin për të drejtuar  një nga organet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, atë që do të hetojë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.

Intervistat me Dumanin, Krajën dhe Kondilin do të zhvillohen me të njëjtën procedurë si në rastin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Pra, gjithçka do të transmetohet në media edhe për qytetarët.

I pari që del përpara Këshillit të Lartë të Prokurorisë është Altin Dumani. Ai u rendit i pari dhe në listën e 8 prokurorëve që morën detyrën në SPAK. Më pas është prokurori Arben Kraja, ndërsa i fundit është Edvin Kondili.

Disa ditë më parë, kreu i KLP, Gent Ibrahimi u shpreh në media se kandidatët për kreun e SPAK do të vlerësohen në disa aspekte. Një ditë më pas, 8 prokurorët e parë të SPAK do të bëjnë betimin te Presidenti i Republikës, duke nisur zyrtarisht punën në institucionin që zëvendëson Prokurorinë e Krimeve të Rënda.



Skip to toolbar