Fundjavë e çmendur në Gjermani, Bayern apo Dortmund, kush e fiton Bundesligën?!

SPORT


Gara për titullin në Premierligë u mbyll një javë më parë, teksa mes dy ekipeve pretendente, në fund triumfi shkoi për Manchester Cityn. Megjithatë, këtë fundjavë do të luhet java më dramatike e luftës për titull, në një nga kampionatet më të mëdha në Europë, Gjermani. Bayern Munich dhe Borussia Dortmund, do të luajnë aktin final të “dramës” së titullit kampion në Bundesliga. Ndryshe nga Prmier League, ku Manchester City dhe Liverpooli kishin grumbulluar pikë të mëdha në ndjekjen e vazhdueshme të titullit, ka qenë histori tjetër ajo mes Bayern Munich dhe Borussia Dortmund.

“Bundesliga perfekte në një finale perfekte”, është titulli i lajmit të Deutsche Welles, rrjeti televiziv gjerman, që komenton pikërisht javën e fundit të kampionatit në Bundesliga, ku do të vendoset dhe se kush do të jetë Kampion i Gjermanisë këtë sezon.  Gjatë gjysmës së parë të sezonit, Dortmundi u duk se ishte në rrugë të mbarë për të fituar titullin e dytë të kësaj dekade, që prej sezonit 2011/12, kur në atë kohë drejtohej nga Jurgen Klopp. Ata grumbulluan pikët e dyta më të mëdha në historinë e klubit deri në mesin e sezonit, aq sa në dhjetor ishin nëntë pikë para Bayern Munich.

Megjithatë, gjatë gjysmës së dytë të sezonit, Dortmundi ka bërë “çmenduri” në Bundesliga. Skuadra mori një fitore 3-0 në fillim të këtij viti, para se të shkonte në një barazim 3-3 me Hoffenheim në muajin shkurt, ndërsa më pas erdhi dhe humbja 3-0 me Tottenham në Ligën e Kampionëve. Më pas një barazim ndaj Nurembergut dhe goditja e madhe nga Bayern, që fitoi sfidën direkte me rezultatin 5-0.

Por nuk mbeti me kaq, pasi Dortmund pësoi një tjetër humbje dramatike me Schalken që fitoi 4-2, dhe pastaj Werder Bremen 2-0, rrënuan gjithçka për Borussian. “Një ditë mund të jemi trishtuar për shkak të gabimeve që kemi bërë, ndërsa ditën tjetër mund të jemi të lumtur, sepse kemi ende mundësi për të qenë kampionë. Bundesliga është e çmendur”,  tha Axel Witsel pasi Dortmund mbeti në garë për titull kur fitoi ndaj Fortuna Dusseldorf fundjavën e kaluar.

Bayerni ka rikuperuar shumë nga një fillim i ngadalshëm me një nga finalet e tyre më të mira në vitet e fundit. Ata kanë humbur vetëm një herë në 2019 në Bundesliga dhe kanë marrë 39 pikë nga 48-të të mundura. Skuadra e Kovaç mund të kishte fituar titullin e tyre të shtatë fundjavën e shkuar, por u ndalën në barazim pa gola nga Leipzig, teksa Goretzka-s iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, që në fakt ishte i dyshimtë.

Nëse Bayerni fiton titullin nesër, do të jetë i pari që fiton në shtëpi, që prej sezonit 1999/2000.  “Tani kemi mundësi për të fituar titullin në ndeshjen e fundit, përpara tifozëve tanë. Nuk mendoj se ka gjë  më emocionuese se kaq,” tha Goretzka. Bayern Munich pret Eintracht Frankfurt në ditën e fundit ndërsa Dortmund udhëton në Borussia Monchengladbach. Skenari i vetëm, që Bayern të humb titullin dhe të triumfojë Borussia Dortmund, është që këto të fundit të fitojnë ndeshjen në transfertë, ndërsa Bayern të mundet. Në të kundërt, Barazimi apo fitorja e Bayern-it i shpall këta të fundit kampion pasi kanë golavarazh më të mirë se Dortmund.



Skip to toolbar