Festat e fundvitit, fluks në Rinas. Policia kufitare masa për përballimin e situatës

AKTUALITET


Festat e fundvitit sjellin gjithmonë fluks të lartë të udhëtarëve edhe në aeroportin e Rinasit. Për përballimin e tyre dhe ruajtjen e sigurisë së qytetarëve, policia kufitare e Rinasit njofton se ka marrë masa për fundvitin.

Policia njofton se prej datës 23 dhjetor e deri sot kanë hyrë nëpërmjet aeroportit të Rinasit mbi 55 mijë qytetarë.

Në kuadër të marrjes së masave për përballimin dhe menaxhimin e fluksit gjatë festave, nga ana e Komisariatit Rinas, në zbatim të planit të masave të DPPSH, janë shtuar dhe masat e sigurisë, duke rritur dhe numrin e kontrolleve në vijën e dytë, si në hyrje ashtu dhe në dalje.

Javën e fundit, si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar 13 raste me dokumente të falsifikuara, si pasaporta, karta identiteti, viza të vendeve të BE-së dhe personat që kanë tentuar ta kalojnë kufirin me këto dokumente janë proceduar penalisht për “Falsifikimin të dokumenteve” dhe për “Kalim të paligjshëm të kufirit”.

Policia Kufitare ka marrë masa për përballimin e fluksit edhe në dalje, në ditët e para të vitit të ri, si dhe për një kontroll sa më efikas në drejtim të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë.



Skip to toolbar