Kurti i caktoi 6 janarin, Thaçi: Do e pres

KOSOVA


Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se do ta presë në zyrën e tij më 6 janar, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të biseduar për mandatarin për kryeministër.

Kurti ka refuzuar tri ftesat e Thaçit për t’u takuar, ndërsa më 30 dhjetor e njoftoi presidentin se të dy mund të takohen më 6 janar për të biseduar për mandatarin.


“Unë mirëpres faktin që pas ftesës së tretë ka pranuar dhe i është përgjigjur ftesës sime. Kështu që ditën që është menduar nga zoti Kurti, në ora 15:00 do ta pres në zyrën time”, tha Thaçi gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët.

Presidenti Thaçi foli edhe për përbërjen e re të Qeverisë së ardhshme të Kosovës, duke thënë se i takon partisë fituese të zgjedhjeve të 6 tetorit, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, që të zgjedhë partnerin qeverisës dhe sipas tij, nuk i takon askujt, “të interferojë” në këtë proces, qoftë nga spektri politik vendor apo përfaqësuesit ndërkombëtarë, duke shtuar se është mirë që të “mos humbet kohë” me formimin e institucioneve të reja.

Ndërkaq, i pyetur për diskutimet që Lëvizja Vetëvendosje ka zhvilluar me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për postin e presidentit, Thaçi tha se mirëpret çdo marrëveshje që partitë do të arrijnë në këtë drejtim.

“Partia fituese është ajo që përcakton partnerin. Kemi një realitet tjetër në Kosovë. Çdo marrëveshje që arrihet në mes të spektrit politik në Kosovë unë e mirëpres dhe e përshëndes. Është në interes që të mos humbet kohë. Çdo marrëveshje, edhe për president, që e bën spektri politik unë vetëm do ta duartrokas”, ka deklaruar Thaçi.




Skip to toolbar