Një shqiptar i cilësuar me rrezikshmëri të lartë dhe që ishte në kërkim prej kohësh nga policia italiane është arrestuar në një hotel luksoz, ku kishte rezervuar për të kaluar festat e fundvitit.
Mediat italiane shkruajnë se 32-vjeçari me iniciale A.A u kap mëngjesin e datës 4 janar në një hotel me pesë yje në Forte dei Marmi. Kur ishte regjistruar në recepsion, ai kishte paraqitur dokumente false, por u zbulua, pasi fotoja ne dokument ishte shumë ndryshe nga vetë personi dhe pas kësaj personeli pati dyshime të forta, aq sa njoftoi policinë. Menjëherë, policia shkoi në hotelin luksoz, ku bëri të mundur shoqërimin e shqiptarit të shpallur në kërkim. Zbulimi i tij ishte fare i thjeshtë, mjaftoi një kontroll i shenjave të gishtave për ta kuptuar se ishte ai që kërkohej nga policia.
Policia e kishte shpallur në kërkim, pasi shqiptari akuzohej për trafik dhe shpërndarje droge, madje ishte emër i njohur për policinë italiane, pasi ishte dëbuar edhe më herët nga shteti fqinj. Ai u shoqërua nga policia dhe pas verifikimeve do të deportohet nga aeroporti i Fiumicinos, për në Shqipëri.
Ai ishte dënuar më parë në moshën 19 vjeç për krime të rënda, rrëmbim me qëllim të zhvatjen e vazhdueshme, dëmtim personal, mbajtje armësh, ndërkohë që më pas ishte bërë pjesë e një rrjeti trafiku droge.