Një rikthim jo dhe aq triumfal i Sali Berishës në SHBA. 5 vitet pritje pas shpalljes non grata, e gjetën doktorin në New York si hero në një sallë me rreth 200 veta, ku e vetmja gjë që nuk munguan ishin karriget, shumë prej tyre të mbetura bosh.
Kurse jashtë, një grup tjetër shqiptarësh, që në kontrast të madh me sloganin e sallës “Liria Funksionon” thërrisnin “Berisha N’Burg”.
“Berisha non grata që nga 1997. Berisha non grata që nga 1997.”
Brenda kishte lule dhe buzëqeshje, jashtë kishte…
“Jemi afruar pranë ambjenteve ku do të zhvillohet takimi i Sali Berishës me simpatizantët e PD dhe na kanë ndjekur na kanë goditur, dhe na kanë detyruar të largohemi e mos jemi prezent”, tha një protestues.
Por për Berishën, atmosfera si brenda dhe jashtë nuk kishin rëndësi. Ai shpalli fitoren e tij personale, ndaj Blinken dhe Yuri Kim.
“Ata që na treguan ne barin, përfunduan të papunë. Ata që firmosën ndalimin tim sot janë non grata në vendin e tyre. Ata që përgatitën mashtrimet ndaj meje në Shqipëri sot janë pas hekurave, ndërsa unë sot po qëndroj me dy këmbë mbi atë tokë që ata mendonin të ma ndalonin përgjithmonë”, tha Berisha
Por demokratët që prisnin për fatin e PD, Berisha që ka humbur sensin e numërimit, premtoi se këtë herë nuk do i prishë më marrëdhëniet me SHBA.
“Le ta quajmë rikthim të dytë apo të tretë, të duan, por një gjë ju siguroj se ky rikthim do të përdoret për ndërtimin e një bashkëpunimi të shkëlqyer në SHBA”, vijoi më tej Berisha.
Viza disa ditore dhe takimi me demokratët në SHBA, mbeten fitore personale e Sali Berishës.
Në 5 vite, ai ia doli të kalojë oqeanin dhe të harrohet non grata, po ashtu të përballet dhëmb për dhëmb me drejtësinë shqiptare.
Vitet kalojnë, Berisha korr suksese personale, por fitoret e tij nuk përkthehen në triumfe të PD.
Partia e cila lindi si shpresë e një orientimi perëndimor drejt SHBA, vijon e tkurret me rikthimin e Sali Berishës.
Këtë herë demokratët presin ndonjë lajm të mirë nga rikthimi i doktorit nga përtej oqeanit, pasi presin 13 vite në opozitë.
