Policia rrugore ka shtuar masat e saj në të gjitha rrugët, qofshin ato urbane, interurbane, por dhe ato rurale për parandalimin e aksidenteve rrugore. Sipas të dhënave, në Tiranë, Lezhë, Durrës, Fier, Elbasan, janë vendosur radarë Trucam për të monitoruar dhe parandaluar aksidentet rrugore që vijnë si pasojë e shpejtësisë mbi normat e lejuara. Po ashtu radarë janë vendosur dhe në rrugët e brendshme të qytetit të Tiranës.
Si rezultat i këtyre masave, gjatë 24 orëve të fundit janë pezulluar 176 leje drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara, nga këto: 51 në Tiranë, 47 në Durrës, 49 në Lushnjë-Fier nga njësia Operacionale e Policisë Rrugore, 15 në Lezhë dhe 14 në Elbasan. Njëkohësisht, në të gjithë vendin janë vendosur 235 masa administrative për mosrregullim shpejtësie, veçanërisht në qendrat e banuara dhe shpejtësi jo më shumë se 20 km/h mbi normat e lejuara.
Si rezultat i kontrolleve me aparatin alkooltestues drager, në të gjithë vendin janë arrestuar në flagrancë 13 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 9 prej të cilëve në Tiranë, si dhe janë pezulluar 41 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Po gjatë kontrolleve janë verifikuar dhe arrestuar në kushtet e flagrancës 20 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi, nga të cilët 16 në Tiranë.
Po gjatë kontrolleve janë evidentuar parakalime dhe manovra të rrezikshme në rrugë e në afërsi të kalimit të këmbësorëve, në segmente me fushëpamje të kufizuar etj, si dhe janë ndëshkuar për mosdhënie përparësie këmbësorëve, në të gjithë vendin, 234 drejtues mjetesh, nga të cilët 165 në Tiranë.
Sipas policisë, janë evidentuar dhe ndëshkuar 456 drejtues mjetesh, të cilët janë konstatuar duke drejtuar mjetin pa vendosur rripin e sigurimit dhe 287 drejtues mjetesh duke përdorur aparatin celular gjatë drejtimit të mjetit.
“Policia Rrugore, në vijim të planit të detajuar të masave do forcojë më tej kontrollet me radar, dragera, punonjës civilë, për të bërë të mundur parandalimin e aksidenteve rrugore që vijnë si pasojë e këtyre shkeljeve dhe sigurimin e një transporti rrugor me parametra normalë dhe të sigurt, në të gjithë vendin dhe veçanërisht në akset rrugore që të çojnë në pikat e kalimit kufitar me shtetet fqinje. Policia Rrugore apelon për të gjithë drejtuesit e mjeteve të respektojnë sinjalizimin rrugor, për të shmangur aksidentet dhe penalitetet e parashikuara në Kodin Rrugor. Njëkohësit, këmbësorët të tregojnë kujdes gjatë kapërcimit të rrugës nga njëra anë në tjetrën, të kalojnë në vijat e bardha dhe aty ku ato mungojnë, të tregojnë kujdes të shtuar duke respektuar kërkesat dhe normat e sjelljes të përcaktuara në Kodin Rrugor”, deklaroi policia.