U kallëzuan nga pronarja e një dyqani, kapen dy palestinezë në Tiranë

AKTUALITET


Dy palestinezë janë arrestuar në Tiranë, ndërsa një i tretë është proceduar penalisht në gjendje të lirë, pasi ata dyshohen për disa vjedhje të kryera në ditët e para të janarit 2020. Kallëzimi për palestinezët, të cilët jetonin në Tiranë është bërë nga pronarja e një dyqani të vjedhur në Rrugën e Durrësit dhe pas një punë disaditore nga komisariati nr. 3 i Tiranës, policia ka mundur të dokumentojë disa vjedhje të këtyre personave.

Burimet policore thanë se kapja e palestinezëve u bë gjatë operacionit “Start one” dhe konkretisht në pranga përfunduan Y. L., 26 vjeç, dhe O. E., 24 vjeç, ndërsa u procedua në gjendje të lirë A. B., 18 vjeç, të gjithë lindur në Palestinë dhe banues në Tiranë. Në bazë të hetimeve dhe të provave materiale (pamjeve filmike dhe dëshmi) rezulton se këta shtetas janë autorë të katër vjedhjeve të ndodhura gjatë ditëve të para të muajit janar 2020 dhe konkretisht 1 vjedhje më 2 janar dhe tre vjedhje më 6 janar. Vijon puna për zbardhjen e vjedhjeve të tjera, të cilat dyshohet se janë kryer nga këta shtetas. Materialet procedurale do t’i referohen prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja” më shumë se një herë , në ngarkim Y. L. dhe O. E.



Skip to toolbar