Pezullimi i “Fly Ernest”, Aviacioni Civil: Qytetarët të kërkojnë rimbursim

AKTUALITET


Autoriteti i Aviacionit Civil në Itali pezulloi disa ditë më parë licensën e kompanisë “Fly Ernest”. Kjo kompani, operon gjerësisht edhe në tregun shqiptar për fluturimet nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas. Por, duke nisur nga data 13 janar, “Fly Ernest” nuk do të mund të kryejë fluturime nga Rinasi në drejtim të aeroporteve italiane dhe anasjelltas. Për këtë arsye, Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar u tërheq vëmendjen qytetarëve shqiptarë që kanë rezervuar bileta me këtë kompani, të informohen rreth ndryshimit të orareve të fluturimeve me “Fly Ernest” deri në 13 janar si dhe të kërkojnë rimbursim për biletat e rezervuara pas kësaj date.

Në një njoftim zyrtar, AAC shprehet se “që nga momenti i njoftimit për pezullim, kompania është duke operuar me kapacitet të kufizuar në avionë dhe staf operues. Kjo situatë ka sjellë edhe anulime dhe ri-skedulime të fluturimeve, por jo deri në pikën e ndalimit total të fluturimeve. Duke qenë se kompania ende ka një licensë aktive nga autoriteti italian deri më dt. 13/01, pasagjerët duhet të marrin masat që deri në këtë datë të lidhen në telefon me shërbimin e klientit të kompanisë dhe/ose agjencinë ku kanë prerë biletën dhe të përpiqen të sigurojnë një vend në fluturimet që kompania po kryen.

Nëse pasagjerët nuk e kryejnë dot fluturimin me Ernest dhe zgjedhin të presin një biletë me një kompani tjetër, atyre u rekomandohet të bëjnë kërkesën për rimbursim dhe kompensim nëpërmjet sistemit të kompanisë në faqen e tyre në internet në adresën: form.jotformeu.com/82412077858362…

Kërkesën për rimbursim duhet t’a bëjnë edhe pasagjerët që kanë prerë bileta përtej datës 13 Janar 2020. Është shumë e rëndësishme që pasagjerët të bëjnë kërkesat për rimbursim dhe kompensim si i vetmi mekanizëm mbrojtës në dispozicionin e tyre sipas ligjit të BE-së”, thotë ndër të tjera Autoriteti i Aviacionit Civil shqiptar. Ndërkohë, autoritetet e aviacionit civil në Itali pezulluan licensën e kompanisë “Fly Ernest” për shkak të vështirësive financiare të kësaj kompanie, por edhe probleme të tjera që lidhen me shërbimin ndaj pasagjerëve.



Skip to toolbar