Ndërpriten fluturimet e “Fly Ernest”, AAC: Kërkoni rimbursim

AKTUALITET


Duke filluar nga dita e nesërme kompania “Fly Ernest” nuk do të zhvillojë më fluturime nga Italia drejt Shqipërisë dhe Ukrainës, apo anasjelltas. Shkak është bërë pezullimi i licensës nga Autoriteti i Aviacionit Civil Italian, pasi kompania “Ernest” kishte probleme financiare dhe moskorrektësi me shërbimin ndaj pasagjerëve. Për këto arsye, në fund të vitit të kaluar, kompanisë iu pezullua licnesa duke nisur nga data 13 janar.

Të prekur nga ky anulim i licensës së kompanisë “Fly Ernest” janë padyshim shumë qytetarë shqiptarë, që më herët kishin rezervuar bileta me këtë kompani. Në datën 10 janar, Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar njoftoi se kishte konfirmuar se “Fly Ernest vijon të jetë e pezulluar për fluturimet pas datës 13 janar”. Për këtë arsye, “u kërkohej udhëtarëve që posedojnë biletën e lëshuar nga “Ernest” të datës 13 janar 2020 e më tej, të mos shkojnë në aeroport dhe të kontaktojnë kompaninë ajrore për çdo informacion”.


Ndërkohë, “Fly Ernest” kishte parashikuar të kryente 4 fluturime gjatë ditës së shtunë dhe 8 fluturime gjatë ditës së diel, me avion me qera. Mirëpo, të premten, në datën 10 janar, kompania kishte njoftuar se anulonte të gjitha fluturimet duke nisur nga e shtuna e datës 11 janar. Për këtë arsye, edhe në Shqipëri kjo kompani nuk ka operuar gjatë ditës së shtunë dhe nuk do të operojë me planifikimin e udhëtimeve për ditën e diel, një ditë përpara se të hyjë në fuqi vendimi për pezullimin e licensës.

Për këtë arsye, Autoriteti i Aviacionit Civil “rekomandon të gjithë pasagjerëve me bileta të prera me Ernest, të konfirmojnë dhe kontaktojnë kompaninë, aeroportin, agjencinë për statusin e fluturimit të tyre para se të nisen për në aeroport. Gjithashtu, të gjithë pasagjerët duhet të bëjnë aplikimin për rimbursim të çmimit të biletës tek faqja zyrtare e kompanisë”, thuhet ndër të tjera në njoftim.




Skip to toolbar