Tre krerët më të lartë të Kosovës ishin dje në Tiranë, por më të ndarë se kurrë. Thaçi, Haradinaj dhe Limaj zgjodhën të njejtën ditë për të qenë të pranishëm në kryeqytetin shqiptar, por secili zhvilloi takime private, apo të ndara, që treguan dhe njëherë hendekun e qëndrimeve mes palëve.
Kështu kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj zhvilloi një takim informal me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta. Që të dy postuan një foto ku dukej se takimi ishte zhvilluar në ambientet e një lokali. Por Haradinaj në postimin e tij shkruan se kanë ndarë “qëndrime unike me presidentin Meta për tema me rëndësi për Shqipërinë dhe Kosovën”. Kujtojmë se marrëdhëniet e Haradinajt me Ramën janë ftohur prej kohësh, që në samitin e Berlinit, ku Haradinaj akuzoi kryeministrin shqiptar se kishte ushtruar presion për heqjen e taksës për mallrat serbe. Deklaratë kjo që u hodh poshtë nga kryeministri Rama.
Sakaq, Rama sot ka pritur në zyrë presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili njihet për qëndrime krejt ndryshe nga Haradinaj përsa i përket si çështjes së kufijve, ashtu edhe taksës për mallrat serbe. Thaçi postoi në facebook një mesazh ku njoftonte takimin kokë më kokë me Ramën me të cilin bisedoi për situatën në Shqipëri, Kosovë dhe Rajon, por pa dhënë më shumë detaje.
Ndërsa Fatmir Limaj ishte që dje në Tiranë ku sëbashku me zëvendës kryeministrin Erjon Braçe kryesuan takimin koordinues mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, lidhur me implementimin e marrëveshjeve të nënshkruara në nëntor të vitit 2018.
Ndërsa në një intervistë që dha mbrëmë në Real Story të Sokol Ballës në Vizion Plus, i pyetur për çështjen e kufijve, Limaj tha se askush në Kosovë nuk ka mandatin për të diskutuar çështje që janë në shkelje të Kushtetuës.
Duket se politikanët, si ata të Kosovës, ashtu edhe ata të Shqipërisë nuk arrijnë të gjejnë gjuhën e përbashkët edhe për çështje të rëndësishme.