Haradinaj apel aleatëve: Ndalni presionin ndaj Kosovës

KOSOVA


Ramush Haradinaj ka bërë një deklaratë të fortë duke u kërkuar ndërkombëtarëve të ndalin trysninë dhe presionin që i bëjën Kosovës për heqjen e taksës, duke etiketuar drejtpërdrejtë SHBA dhe BE.

Haradinaj tha se kërkon një drejtpeshim të trysnisë së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës dhe Serbisë, duke argumentuar se i është detyruar të jap dy herë dorëheqje për t’u përballur me drejtësinë ndërkombëtare, ndërkohë që shqetësime të tilla nuk i kanë udhëheqësit aktual serb, që ishin pjesë e regjimit të Slobodan Millosheviçit.


Haradinaj, gjatë intervistës për Zërin e Amerikës, konfirmoi qëndrimin e tij se kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm  dhe se tarifa do të hiqet deri kur të ketë një njohje reciproke nga Serbia. “Këto qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala, në këtë rast që jemi ne viktimë.” – tha Haradinaj

Zëri i Amerikës: Që nga dorëheqja juaj është diskutuar për mundësinë e një lidhjeje ndërmjet thirrjes për t’u paraqitur në Hagë dhe qëndrimeve tuaja politike rreth tarifave ndaj mallrave serbe. A shihni ju ndonjë lidhje të tillë?

Ramush Haradinaj: Do të thotë unë e kam kryer obligimin ligjor si rezultat i një ftese për t’u paraqitur si i dyshuar në bisedë hetuese. Kam dhënë dorëheqje prej kryetarit të qeverisë dhe vetvetiu kjo ka ndikime politike ftesa, duke pasur parasysh faktin se unë kam qenë dy herë në procese gjyqësore dhe ja kam dhënë mundësinë drejtësisë ndërkombëtare që ta shqyrtoj atë periudhë, periudhën e luftës në tërësi. Jam mjaft i habitur me këtë ftesë. Ka plot dyshime në Kosovë se mund të jetë një konspiracion, por ajo që mund të konfirmoj është që besoj në ato qëndrime politike që i kam shprehur në mënyrën më të sinqertë ndaj partnerëve ndërkombëtarë e që është pra; kufijtë e Kosovës nuk janë të diskutueshëm dhe nuk bën të diskutohet për territorin dhe kufijtë, marrëveshja me Serbinë duhet të arrihet për njohje reciproke në kufijtë ekzistues sepse për Kosovën është e papërballueshme një krijesë si Dodik Republikë sepse na e bjen Rusinë në Kosovë dhe njëkohësisht tregtia e lirë pra duhet të jetë e arritur me njohje edhe tarifa hiqet me njohje. Këto qëndrime janë reale dhe vazhdoj t’i paraqes si këtilla dhe kërkoj prej bashkësisë ndërkombëtare, aleatëve tanë, që ta ndalin presionin e padrejtë mbi Kosovën sikur për tarifat po ashtu edhe tema tjera për shkak se nuk është në rregull të pranohen kushtet e Serbisë për dialog për shkak se ofendohet pala, në këtë rast që jemi ne viktimë. Imagjinoni unë jam kryetar qeverie. Thirrem për të dytën herë për të dëshmuar para një gjykate ndërkombëtare. E kam dhënë dorëheqjen njëherë e kam dhënë dytën herë, ndërsa në anën tjetër është zoti (Aleksandër) Vuçiç që ishte ministër i zotit (Slobodan) Millosheviç dhe dihet që regjimi i Millosheviçit çfarë krime ka kryer në Ballkan jo veç në Kosovë por edhe në vende tjera edhe ai nuk ka shqetësime të asnjë natyre. Pra kjo dëshmon një disbalanc të logjikave të presionit të bashkësisë ndërkombëtare e që duhet të korrigjohen sa më shpejt.

Zëri i Amerikës: Kur flisni për aleatët, cilët po bëjnë trysni?

Ramush Haradinaj: Mendoj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.

Lexoni këtu intervistën e plotë.




Skip to toolbar