Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzoi të enjten vendimin e ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, që në 29 mars të vitit 2015 pezulloi nga detyra gjyqtarin e Gjykatës së Kavajës, Osman Aliu. Në mbledhjen e datës 9 janar të këtij viti, KLGJ vendosi: “Të revokojë Vendimin nr. 47, datë 29.04.2015, të ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë, “Mbi pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kavajë, Osman Aliu”. Por jo vetëm kaq, KLGJ i njohu të drejtën gjyqtarit Osman Aliu që të përfitojë të gjitha pagat e gati 5 viteve të pezullimit nga detyra. “T’i njohë gjyqtarit Osman Aliu të drejtën për përfitimin e pagës për të gjithë kohën e pezullimit nga detyra, nga data 29.04.2015”.
Po përse u pezullua Osman Aliu nga detyra?
Pesë vite më parë, kur ministër i Drejtësisë ishte Nasip Naço, ai i kërkoi Presidentit Bujar Nishani, që në atë kohë ishte dhe kreu i KLD-së, që të pezullonte nga detyra gjyqtarin e Kavajës. Ministri Naço dyshonte se gjyqtari Osman Aliu kishte fshehur të ardhurat, ndërsa për të kisthe nisur një hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Në kërkesën për pezullimin e gjyqtarit Aliut në atë kohë thuhej se: “Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimin për akuzën e ‘refuzimit për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarim i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”. Prokuroria ka vendosur ta marrë si të pandehur gjyqtarin dhe ka dërguar dosjen penale ndaj tij për gjykim”.
Por në tetor të po atij viti, Gjykata e Tiranës pushoi çështjen në ngarkim të gjyqtarit Osman Aliu. Kështu, kërkesa e prokurorisë për dënimin administrativ me 1 milion lekë gjobë ndaj gjyqtarit u rrëzua. Ndërkohë, pesë vite më pas, Këshilli i Lartë Gjyqësor rrëzon dhe masën e pezullimit nga puna për gjyqtarin Osman Aliu, duke i dhënë atij dëmshpërblimin me pagat e pesë viteve që ishte i pezulluar. /Realstory.al/