Lë garën për kreun e PS Durrës, Kërtusha: Proces i paracaktuar

AKTUALITET


Kandidati për kryetar të Partisë Socialiste në Durrës, Ardit Kërtusha njoftoi të enjten se tërhiqet nga gara. Me anë të një letre publike, ai ngre pretendime për manipulim të procesit zgjedhor. Fillimisht, Kërtusha thotë se janë ndryshuar procedurat për zgjedhjen e kryetarit të PS në Durrës. “Problemi fillon që në kryefjalë të këtyre zgjedhjeve ku nuk zbatohet statuti i Partisë, më saktë parimi (një anëtar një votë) kur edhe në rastet hipotetikë kur nuk zbatohet ky parim mënyra e zevendësimit ka qenë zgjedhja me asamble. Por na doli që as kjo metodë nuk do të apikohet në zgjedhjet tek ne pasi drejtuesit e tanishëm politikë në Durrës brenda natës hartuan një metodë të re dhe normalisht i vendosën edhe nje emër. Më thanë Ardit do te votohesh nga Asambleja e zgjeruar. U habita dhe menjëherë kërkova të më vihej në dispozicion kjo listë”, thotë Kërtusha.

Më tej, Kërtusha pretendon se në Durrës po manipulohet procesi për të vendosur në krye të PS marionetën e Vangjush Dakos. “Pra që të mos zgjatem: Ka shumë ndërhyrje nga më të paimagjinueshmet që zgjedhjet në Durrës të mos zhvillohen por të emërojnë edhe një herë në krye të degës marionetën e preferuar të Vangjushit. Fushata ime në kryefjalë të saj kishte perfaqësimin e të gjithë socialistëve durrëskë dhe kush më mirë se një anëtar një votë mund ta mundesojë këtë perfaqesim? Lobuam shumë që ta bënim të mundur por e kotë”, shton ai.


Ndaj, duke iu referuar pretendimit të sipërpërmendur, Kërtusha deklaron se dorëhiqet nga gara për kryetar të PS në Durrës. “Sot ndodhemi përballë këtij fakti, ku kryetarin e PS Durrës do duhet ta votojnë njerëz jashtë strukturave tona. Duke demostruar edhe një herë se si e kanë kandadisur Partine Socialiste në Durrës. I ndodhur në këto kushte unë zgjedh për te mos kandiduar ditën e shtunë pasi kandidimi im do të ishte në të keq të Partisë Socialiste duke zhvilluar një garë të paracaktuar, ndaj zgjedh që kontributin tim ta jap brenda Partisë Socialiste duke qenë një zë brenda saj dhe jo një fraksion siç kanë qejfin ta etiketojnë rrëmbyesit e kësaj partie. Me bindje të plotë ju them që nuk do të bëhem pjesë e kësaj farse të turpshme politike. Duke ju falënderuar të gjithëve uroj një vit të mbarë dhe kthimin sa më shpejt në identitet të Partisë Socialiste”, përfundon ai.




Skip to toolbar