Aksidentet/ Pranga 25 shoferëve. Bllokohen 27 mjete, vendosen mijëra gjoba

AKTUALITET


Drejtoria e Policisë Rrugore njoftoi nëpërmjet një deklarate, se gjatë 48 orëve të fundit, ka shtuar masat në akset rrugore për parandalimin e aksidenteve. Rreth 1033 punonjës të Policisë Rrugore u angazhuan gjatë 48 orëve për të parandaluar aksidentet rrugore. Masat e policisë kanë qenë në disa drejtime, duke nisur nga parandalimi i shpejtësisë, manovrat e rrezikshme në rrugë, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, apo dhe shkelje të tjera. Si rrjedhojë, gjatë këtyre 48 orëve, janë arrestuar në flagranca 25 shtetas, nga këta:10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 15 pa leje drejtimi.

Nga kontrollet e ushtuara me drager e radar, në të gjithë vendin, për 48 orë janë pezulluar 192 leje drejtimi, nga këto: 31 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 131 leje drejtimi për drejtim mjeti me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar dhe 30 leje drejtimi për shkelje të ndryshme që kanë si masë plotësuese pezullimin e lejes së drejtimit.

Gjithashtu, po gjatë fundjavës janë vendosur gjithsej 5098 masa administrative, nga këto: 316  masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 47 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 626 për përdorim të celularit, 2578 për parkime të gabuara dhe pushim mjeti në kundërshtim me Kodin Rrugor, 282 masa për shpejtësi e manovra në rrugë, 52 për mungesë figuracioni, si dhe 1197 për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Gjithashtu, gjatë fundjavës janë bllokuar edhe 27 automjete, si dhe një automjet i vjedhur, ku dhe u prangos nga Policia Rrugore e Elbasanit shtetasi që kishte vjedhur automjetin. Aktualisht, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore dhe të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore në qarqe vijojnë monitorimin e trafikut dhe kontrollet me radar e drager, si dhe me shërbime të kombinuara me uniformë dhe civilë, me qëllimin e vetëm, atë të rritjes së sigurisë së jetës në rrugë.



Skip to toolbar