Pranga 4 shoferëve të dehur në Tiranë

Policia Rrugore e Tiranës, zhvilloi një aksion gjatë natës duke zbardhur mëngjesi i të dielës në rrugët e kryeqytetit.

Gjatë aksionit, policia kreu testet e alkoolit për drejtuesit e mjeteve në disa akse rrugore. Kontrollet me dragera nisën prej orës 22:00 të së shtunës dhe zgjatën deri në 05:00 të mëngjesit të së dielës.

Në total janë kryer rreth 256 teste alkoli, ku janë konstatuar 11 drejtues mjeti në gjendje të dehur. Atyre do të dalin në komision dhe rrezikojnë pezullimin e patentës nga 6 deri në 12 muaj.

Ndërkohë, 4 drejtues mjetesh u arrestuan për drejtim mjeti në gjendje të dehur, për shkak të konsumit të lartë të alkoolit.

Policia jep dhe një mesazh për drejtuesit e mjeteve, ku shprehet: “Stop drejtimit të mjetit nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur. Alkooli mpin trurin dhe je i destinuar për të bërë aksident”, shkruan në një njoftim Policia e Shtetit.

Operacioni “Transit”, burg vëllait të ish-shefit të rrugores në Dibër dhe 6 të tjerëve

Gjykata e Tiranës la në burg 7 personat e arrestuar në një operacion të gjerë anti-drogë, që u zhvillua disa ditë më parë në disa qytete të vendit. Mes të arrestuarëve ishte dhe vëllai i ish-shefit të qarkullimit rrugor në Dibër, shtetasi Pajtim Aga. Ai, së bashku me të arrestuarit e tjerë u lanë në masën “arrest në burg”.

Konkretisht, Edmond Rajta, Pajtim Aga, Shkëlzen Mazari, Devis Mija, Fatjon Paulin Dodaj, Marsida Piperi dhe Arjet Halilaj, u njohën të martën me masën e sigurisë. Ata u arrestuan pak ditë më parë nga policia, në operacionin “Transit”, pasi kryenin trafik të lëndëve narkotike, duke u kapur në flagrancë me 32.5 kg kanabis. Në fakt, gjithçka u zbulua rastësisht, pasi Policia kishte nën përgjim Pajtim Agën, i cili dyshohej për një tjetër vepër penale.

Ai që pranoi se ishte poseduesi i drogës, ishte Shkëlzen Mazari. Megjithatë, dyshimet janë se Aga dhe Rajta e çuan drogën në shtëpinë e Mazarit. Ndërsa nipi i këtij shtetasi, Devis Mija mori makinën me drogë te banesa e Mazarit, por u arrestua vetëm pas pak minutash. Ndërkohë sasia tjetër e drogës u kap në Gjirokastër. Më 18 janar Policia e Shtetit arrestoi 7 persona dhe sekuestroi 32.5 kg lëndë narkotike “cannabis sativa” në formë çokollate gjatë operacionit të koduar “TRANZIT”.

Shtetasit e lartpërmendur kishin siguruar lëndë narkotike të llojit “Cannabis sativa në formë çokollate” në shtetit grek, lëndë të cilën e kishin kaluar nëpërmjet kufirit nga Konispoli, nëpërmjet dy shtetasve me banim në Gjirokastër.

Me pas lënda narkotike do transportohej në qytetin e Tiranës, me qëllim për ta nisur më vonë në një qytet në veri të vendit, për ta trafikuar jashtë Shqipërisë. Gjatë operacionit në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 32.5 kg lëndë narkotike canabisa sativa në formë çokollate, 6 aparate celulare dhe 2 automjete. Pas operacionit, u pezullua nga detyra shefi i qarkullimit Dibër Robert Aga, emri i të cilit doli edhe në përgjimet e publikuara nga Bild për zgjedhjet në Dibër.

Aksidentet/ Pranga 25 shoferëve. Bllokohen 27 mjete, vendosen mijëra gjoba

Drejtoria e Policisë Rrugore njoftoi nëpërmjet një deklarate, se gjatë 48 orëve të fundit, ka shtuar masat në akset rrugore për parandalimin e aksidenteve. Rreth 1033 punonjës të Policisë Rrugore u angazhuan gjatë 48 orëve për të parandaluar aksidentet rrugore. Masat e policisë kanë qenë në disa drejtime, duke nisur nga parandalimi i shpejtësisë, manovrat e rrezikshme në rrugë, drejtimi i mjetit në gjendje të dehur, apo dhe shkelje të tjera. Si rrjedhojë, gjatë këtyre 48 orëve, janë arrestuar në flagranca 25 shtetas, nga këta:10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 15 pa leje drejtimi.

Nga kontrollet e ushtuara me drager e radar, në të gjithë vendin, për 48 orë janë pezulluar 192 leje drejtimi, nga këto: 31 leje drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 131 leje drejtimi për drejtim mjeti me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar dhe 30 leje drejtimi për shkelje të ndryshme që kanë si masë plotësuese pezullimin e lejes së drejtimit.

Gjithashtu, po gjatë fundjavës janë vendosur gjithsej 5098 masa administrative, nga këto: 316  masa për mosvendosje të rripit të sigurimit, 47 për mosvendosje të kaskës mbrojtëse, 626 për përdorim të celularit, 2578 për parkime të gabuara dhe pushim mjeti në kundërshtim me Kodin Rrugor, 282 masa për shpejtësi e manovra në rrugë, 52 për mungesë figuracioni, si dhe 1197 për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor.

Gjithashtu, gjatë fundjavës janë bllokuar edhe 27 automjete, si dhe një automjet i vjedhur, ku dhe u prangos nga Policia Rrugore e Elbasanit shtetasi që kishte vjedhur automjetin. Aktualisht, Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore dhe të gjitha shërbimet e Policisë Rrugore në qarqe vijojnë monitorimin e trafikut dhe kontrollet me radar e drager, si dhe me shërbime të kombinuara me uniformë dhe civilë, me qëllimin e vetëm, atë të rritjes së sigurisë së jetës në rrugë.

Përgjaken rrugët në Tiranë e Elbasan, tre të plagosur nga aksidentet

Një aksident ndodhi të dielën në mbrëmje në aksin rrugor Tiranë-Durrës. Një mjet, i drejtuar nga shetasja me inicialet D.G., është përplasur me bordurën e rrugës pasi shoferja ka humbur kontrollin.

Pas përplasjes me trafikndarësen e rrugës, mjeti është përplasur dhe me një shtyllë ndriçimi në autostradë, e cila është këputur.

Për pasojë janë dëmtuar dy pasagjeret në këtë mjet, shtetaset I.H. dhe M.H.  Ato janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë ndihmën mjekësore, ndërsa policia thotë se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia rrugore ndodhet në vendngjarje ku po vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe shkakut të humbjes kontrollit të automjetit.

Pak minuta pas këtij aksidenti në Tiranë, një tjetër aksident u raportua në qytetin e Elbasanit, në afërsi të stadiumit “Elbasan Arena”. Nga aksidenti mbeti i plagosur një person, rreth 50-vjeç i cili është dërguar me urgjencë në spitalin e Elbasanit.

“Fast & Furious” në Tiranë, 48 shoferë në pranga, 35 në hetim

Brenda javës janë arrestuar në Tiranë 48 drejtues makinash, ndërsa 35 të tjerë janë vënë nën hetim për shkelje të rregullave të qarkullimit, ku spikat drejtimi i automjetit me shpejtësi jo vetëm në rrugë kryesore por edhe brenda nëpër lagje, në zona të banuara duke rrezikuar jetën e banorëve.

Për këtë arsye policia Rrugore njofton se janë pezulluar 100 leje drejtimi nga të cilat 28 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 58 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 14 për shkelje të tjera.

Nga 48 personat e arrestuar për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, 13 janë arrestuar për drejtim mjeti në gjendje të dehur, 34 për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 1 për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

327 drejtues mjetesh të kategorive të ndryshme janë gjobitur për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve

Po ashtu Policia rrugore njofton se janë ndëshkuar 1667 drejtues mjetesh për parkime të gabuara, kryesisht në rresht të dytë dhe mbi trotuare. Si dhe janë vendosur 2978 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.

Skip to toolbar