“VIP-at po dalin nga burgjet”, Gjonaj garanton masa të ashpra me sistemin 41 “Bis”

AKTUALITET


Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka garantuar se sistemi 41 Bis që do të aplikohet në burgjet shqiptare së shpejti, nuk do të lejojë që “të fortët” dhe personat që paraqesin rrezikshmëri të lartë të lënë qelitë. Kjo deklaratë e Gjonajt është bërë të mërkurën në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë Kombëtare ku është diskutuar për projektligjin për amnistinë të miratuar nga qeveria në fund të dhjetorit të vitit 2019. Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi e ka pyetur ministren për lirimin nga burgu të disa “të fortëve” në ditët e fundit.

Maliqi u shpreh se burgjet janë mbushur plot me hallexhinj, ndërkohë që VIP-at po dalin një e nga një, ndërsa shtoi se parimin e famshëm “Kap ça të kapësh”, e kanë brenda vetë qeverisë.

“Lidhur me lirimin e disa të burgosurve ditëve të fundit, KÇK është në çdo cep të qeverisë. Burgjet e Shqipërisë janë mbushur plot me hallexhinj, të burgosurit VIP po dalin një nga një”, tha Maliqi në komision.

Ministrja reagoi duke thënë se shumë shpejt do të aplikohet sistemi 41 bis në burgje, që do t’i japë fund përfitimeve nga të dënuarit VIP.

“Problematikat në burgje janë të mëdha, me ndryshimet që ne kemi ndërmarrë rezultatet do të jenë pas disa vitesh, jo sot. Nuk kemi lënë pa marrë masa në çdo rast cedimi lidhur edhe me lirimin e të dënuarve që kanë dalë me vendim gjykate. Me 41 bisin do të ketë shtim të masave për të burgosurit me rrezikshmëri të lartë. KCK nuk është në qeveri, i kemi shpallur lufte korrupsionit e informalitetit, e po punojmë që këta të dënuar të rrezikshëm nuk do të përfitojnë amnisti e as ulje dënimi”, tha Gjonaj.

Lidhur me amnistinë ministrja tha se do të përfitojnë kryesisht gratë dhe të miturit si dhe personat që nuk kanë bërë vepra të rënda penale.

“Projektligji për amnistinë vjen si nismë ligjore mbas 3 vitesh që nuk është dhënë amnisti, parimet kryesore të amnistisë janë e drejta e trajtimit njerëzor, duke mbajtur parasysh shkallën e rrezikshmërisë nga këta persona. Qëllimi i kësaj amnistie nuk është ulja e mbipopullimit në burgje por humanizmi, ky humanizëm më tepër është për gratë që vuajnë dënimin në burgje.

Amnistia vjen duke analizuar llojin e veprës penale të kryer moshën, dënimin, këtë amnisti do e përfitojnë dy kategori të miturit dhe gratë. Shkaqet kryesore që kanë ndikuar në kryerjen e krimeve janë kushtet ekonomike, dhuna në familje, kjo kategori meriton një zbutje të dënimit”, tha Gjonaj.

Çfarë është “41 bis”

Për herë të parë të parë në Itali termi “41-bis” është prezantuar në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovani Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të. Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostrës, Toto Rina në nëntor të 2017-ës, “41-bis” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje.

Thelbi i regjimit “41-bis” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz jashtë. Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që të japin urdhra për vrasje dhe krime ndërkohë që janë në burg. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët, është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet maksimumi 1 takim në muaj.

Po ashtu ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10 minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë. Të burgosurit janë aq të vëzhguar sa është e pamundur të komunikojnë mes të dënuarve, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte dhe janë grupe sociale të ndryshme.



Skip to toolbar