Ambasadorja e re e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim ka mbërritur në Shqipëri ditën e sotme, 13 ditë, pasi bëri betimin në Departamentin Amerikan të Shtetit.
Yuri Kim është gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori. Yuri Kim u propozua gjatë verës së kaluar si Ambasadore e SHBA në Shqipëri nga Presidenti Donald Trump. Ajo kaloi të gjitha fazat e emërimit në Senat, duke kryes së fundi dhe betimin.
Yuri Kim do të zëvendësojë në detyrën e ambasadorit paraardhësin e saj Donald Lu. Aktualisht, SHBA përfaqësohej me të ngarkuarën në detyrë Leila Mosses-Ones. Gjatë prezantimit në Senat, ajo tha se do të ketë tre prioritete në detyrën e saj, konkretisht zbatimin e reformës në drejtësi, zgjidhjen e krizës politike dhe rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri.
Yuri Kim është një diplomate karriere, që ka shërbyer në Departamentin Amerikan të Shtetit. Ajo është anëtare në stafin e lartë të Shërbimit të Huaj dhe ka shërbyer në Departamentin e Shtetit si Drejtore e Zyrës së Çështjeve të Evropës Jugore. Më herët, ajo ka qenë drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë, Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.
Ajo ka qenë gjithashtu Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet 6-palëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut. Kim ka shërbyer si Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara. Ajo ka lindur në Kore dhe është rritur në ishullin Guam, një territor i SHBA në Oqeanin Paqësor, ndërsa në Shqipëri do të pasojë ish-ambasadorin Donald Lu.