Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani tha se Lefter Alla nuk duhet të ishte më në krye të Bashkisë Bulqizë, ai ose duhej të largohej ose shkarkohej nga qeveria. I ftuar në emisionin “Real Story” , Manjani tha se në atë video nuk ka vepër penale për të hyrë në burg pse konsumon drogën, por nuk mund të ketë funksione publike nëse konsumon atë.
“Lefter Alla nuk mund të jetë më kryetar bashkie dhe të kuptojë situatën. Qeveria duhet ta shkarkojë në sekondë. Ligjërisht është diskutim tjetër, por nga ana morale nuk mund të jetë më në krye të Bashkisë Bulqizë. Nuk di nëse ka shkelje ligjore apo jo, por është video shokuese. Një kryebashkiak nuk mund ta bëjë detyrën duke qenë nën efekt droge. Është element që e bën të pamundur kryerjen e detyrës. Qeveria sheh një kryebashkiak që ka probleme dhe duhet shkarkuar. Të jetë për mua, edhe kryetari i Bashkisë Lushnjë duhej shkarkuar. Këto janë gjëra të rëndë për jetën publike. Ka ca kode etike e morale. Detyra morale kërkon fytyrë, kërkon surrat. Me çfarë fytyre do shërbesh me fytyrën e mallit apo që të kanë hedhur bombë në zyrë?Ai nuk mund të jetë kryetar Bashkie, jep dorëheqjen dhe sqarohet situata si çdo qytetar i thjeshtë, ose Qeveria e shkarkon. Ligjërisht është konkluzion tjetër. Me aq pamje, del i pafajshëm. Ndoshta nuk mund të hysh në burg, pse konsumon drogën, por nuk mund të kesh funksione publike nëse konsumon drogën”, tha Manjani.