Studentët shqiptarë në Kinë: Jemi mbyllur brenda, duam të kthehemi

AKTUALITET


Situata nga virusi nuk është alarmante vetëm në Kinë, por edhe në vende të tjera të botës për shkak të frikës së përhapjes, por edhe të njerëzve të shtetësive tjera që janë atje, mes tyre edhe shqiptarë.

Sefer Vrana është një student shqiptar, i cili ndodhet në provincën Guangdong. Ai shprehet për mediat shqiptare se është mbyllur në shtëpi për shkak të frikës, pasi lëvizja është me risk të lartë. Epiqendra e virusit është provinca e Wuhan-it, ku sipas burimeve nga Ministria e Jashtme kanë qenë katër studentë shqiptarë, por për momentin ndodhet vetëm një vajzë, e cila nuk është infektuar, teksa tre të tjerët janë larguar pak ditë më parë. Për virusin ka marrë masa edhe Shqipëria duke vendosur pajisje në aeroport për kontroll. “Unë kam marrë një masë vetjake, mbyllja në shtëpi për të mos u prekur nga virusi. Ka edhe njerëz që dalin, por në momentin që dilet jashtë duhet vendosur maska. Lëvizja nga këtu në Shqipëri mendoj se do të ishte me risk, pasi kalimi në aeroporte dhe trena është mundësi për t’u prekur. Mbyllja në shtëpi dhe pritja derisa shteti të bëjë dezinfektimin është hapi më i mirë. Sepse është një shtet i madh i fuqishëm dhe mendoj se do të bëjë kurimin”, shprehet studenti Vrana.

Ndërsa Silva Doçi është studente doktorante në vitin e katërt në Universitetin e Kinës Qendrore, në Wuhan, pikërisht në qytetin kinez ka shpërthyer epidemia nga virusi Coronavirus. Ajo lajmëron se nuk ka asnjë problem me shëndetin dhe kampusi ku ajo është nuk ka të prekur. Ka shërbime nga autoritetet shëndetësore dhe qeverisëse në çdo kohë dhe është në komunikim të vazhdueshëm më Ambasadën shqiptare në Pekin, duke kërkuar një mundësi kthimi. Silva shprehet se rastësisht ka qëlluar te jetë me grip dhe ky shqetësim shëndetësor e ka detyruar të bëjë kontrollet e duhura. “Jemi të shqetësuar dhe stresuar. Universiteti na ka këshilluar të mos lëvizim ndërkohë që ka një gatishmëri absolute. Kam shkuar dhe kam bërë analiza dhe përgjigjet rezultojnë se nuk kam asgjë që të më bëjë mua dhe mjekëve të dyshojmë për asgjë që ka lidhje me virusin. Nëpër klinika dhe spitale ka një fluks të madh njerëzish të cilët kryejnë kontrollet shëndetësore për të siguruar  për gjendjen e tyre në raport me epideminë që ka shpërthyer. Kam qenë në kontakt me Ambasadën dhe vazhdoj të jem, ata më kanë mirëpritur dhe kanë treguar kujdes për të më këshilluar apo mundësuar komunikimet e duhura në çdo kohë. Unë kam dëshirë të kthehem, gjë që e kisha parashikuar dhe më herët, për arsyet e mia, por për momentin është një proces i vështirë  që mbase mund të zgjasë. Analizat dolën shumë të mira, thjeshtë një grip normal i stinës e paprekur nga virusi. Është patjetër e nevojshme edhe skaneri i mushkërive edhe i gjithë trupit, pastaj nëse këto të dyja dalin të dyshuara ka edhe disa analiza të tjera që duhen bërë më vonë”, shprehet Silva për mediat shqiptare.



Skip to toolbar