Masa në Rinas: Dezinfektim dhe kontroll

AKTUALITET


Aeroporti i Rinasit ka marrë masa shtesë për dezinfektimin e ambienteve të tij, ndërkohë që është kërkuar koordinim me kompanitë ajrore për listat e pasagjerëve. Lorenc Harshova, Shef i Njësisë së Inspektimit Shëndetësor Rinas ka deklaruar se me përhapjen e koronavirusit janë marrë disa masa shtesë për të bërë dezinfektimin e aeroportit, ndërsa theksoi se duhet bërë koordinimi me kompanitë ajrore që kanë edhe listat e pasagjerëve.

“Në aeroportin Nënë Tereza ka një strukturë të përbërë nga mjekë specialistë. Me daljen e lajmit për përhapjen e koronavirusit janë marrë edhe disa masa shtesë për të pastruar më shpesh aeroportin si dhe një procedurë shtesë për dezinfektimin e aeroportit. Shumë e rëndësishme është edhe kombinimi me kompanitë ajrore që kanë edhe listat e pasagjerëve. Ne jemi edhe më pak të rrezikuar por megjithatë jemi në gatishmëri të plotë”, tha Harshova.

Ndërsa drejtoresha e ISHP ka folur gjatë tryezës ku u mblodh task-forca për koronavirusin e përhapur në Kinë. Ajo tha se Shqipëria nuk është aq e rrezikuar si vende e tjera pasi nuk ka një linjë ajrore të drejtpërdrejtë me Kinën. Ajo tha se vendi ynë po adapton masat e sigurisë që janë marrë në kuadër të atyre që janë propozuar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

“Nuk mund të flasim sa e lartë është shkalla e transmetueshmërisë. Dihet deri tani që është një virus që përhapet në rrugë resperative, siç është dhe gripi. Masat e OBSH janë masa të higjienës, kontrollit, kapja e menjëhershme dhe udhëtarët që kanë pasur kontakte me raste të tilla duhet të vlerësohen në lidhje me problemet që ata mund të kenë. Dua ta theksoj, kjo është një emergjencë për shëndetin publik për Kinën por jo për Shqipërinë. Kina ka marrë një seri masash. Për herë të parë në historinë moderne të sëmundjeve infektive, izolohen 20 milion njerëz. Jemi duke punuar dhe duke marrë të gjitha masat. Whani ka qenë një qytet me lidhje shumë të mëdha ndërkombëtare, Parisin Romën, Moskën dhe në këtë aeroporte masat janë më të mëdha”, tha Bino.



Skip to toolbar