Rama: Rusia nuk është armiku ynë, shkrirja e marrëdhënieve me Moskën ka kufizimet e veta

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama gjatë një interviste nga Moska për emisionin ‘Real Story’ deklaroi se Rusia nuk është armiku i Shqipërisë. Teksa u pyet nga gazetari Sokol Balla në lidhje me faktin nëse është e vërtetë që shteti shqiptar i ka ndërprerë marrëdhëniet bashkëpunuese me Kinën, Rama ka mohuar këtë fakt. 

Ai tha se i vetmi projekt i anuluar me Kinën ishte ai për ‘Rrugën e Arbrit’.

“Nuk kemi refuzuar projekte kineze. Ne kemi anuluar një projekt kinez që ishte një projekt skandaloz i nënshkruar nga qeveria e mëparshme për ‘Rrugën e Arbrit’. Ne u detyruam ta prishim atë negociatë, e cila nuk do të mbaronte kurrë dhe pala kineze ishte komplet e pa kuptueshme nga kompleksia në budallëk. Për sa i përket 5G, është një qëndrim i yni. Unë e kam bërë të qartë edhe më përpara qëndrimit amerikan. Unë e kam ndarë edhe me një letër me liderët e rajonit, ku kam thënë se na takon të jemi në një sistem të sigurt në lidhje me parimet e Aleancës ku bëjmë pjesë. Me gjithë konfliktin e madh të brendshëm politik midis demokratëve dhe republikanëve në SHBA, në këtë pikë janë konsensual. Për sa i përket Rusisë, marrëdhënia historikisht e ngrirë, e trashëguar nga një qeveri në tjetrën. Ashtu sikundër e dimë shumë mirë që çdo shkrirje në këto marrëdhënie ka kufizimet e veta jo sepse neve na e dikton dikush por interesi ynë strategjik është të qëndrojmë shumë fortë të lidhur me ata që mbështesin interesat strategjike të shqiptarëve. Kosova u çlirua nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, u çlirua nga Perëndimi. Nuk do të bëjmë eksperimente të pakuptimta me ata që i kemi aleat. Rusia nuk është armik, nuk është as armik i Perëndimit, është një konkurrent kërcënues dhe mbi të gjitha nuk mund të kesh luhatje në marrëdhënie. Ne jemi të kyçur në një Aleancë ku për fat të mirë nuk na duhet të marrim vendimet e mëdha strategjike.”, pohoi kryeministri.



Skip to toolbar